Barcelona vjen në Shqipëri në Nëntor, miqësore edhe me Sevilian
Ëndra për të parë nga afër kampionët e Brcelonës mesa duket do të realizohet për sportdashësit shqiptarë.
Përfaqësuesit e ekipit katalanas kanë zhvilluar sot një takim me ministrin e Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, të cilët e kanë garantuar këtë të fundit se ekipi spanjoll do të vijë në Shqipëri me rastin e 100- vjetorit të pavarësisë, dhe do të zhvillojë një miqësore me Flamurtarin.
Por vjen edhe një tjetër lajm, pasi përveç Barcës do të zhvillohet një ndeshje miqësore edhe me ekipin e Sevilias.
Delegacioni udhëhiqej nga nga zv/presidenti i klubit z. Fuste Josep Maria, i cili garantoi ardhjen e dy skuadrave spanjolle në Shqipëri ndërsa shprehu dëshirën që Barcelona të jetë skuadra e fundit që do të zhvillojë një ndeshje në Stadiumin Kombëtar Qemal Stafa para prishjes së tij dhe e para që do të zhvillojë një ndeshje në përurimin e stadiumit të ri.
Sipas zyrës së shtypit të MTKRS- së, ministri Bumçi gjatë takimit shprehu konsideratat më të larta për këtë ekip me emër në botë si dhe u shpreh i gatshëm për të dhënë gjithë mbështetjen e nevojshme për zhvillimin e dy ndeshjeve miqësore në kuadër të 100- vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.
Përfaqësuesit e Barcelonës kanë ardhur në vendin tonë për të parë nga afër kushtet e Stadiumit Kombëtar Qemal Stafa ku do të zhvillohen dy ndeshjet miqësore në kuadër të 100- vjetorit të Pavarësisë .
Ndeshja Flamurtari- Sevilia është përcaktuar të luhet në fillim të muajit shtator, ndërsa ndeshja me Barcelonën mendohet të zhvillohet brenda muajit nëntor.
K.T/IDEA/