Bardhezi
Edmond Tupja
Një fjalë për dy ngjyra, thënë ndryshe, e bardhë dhe e zezë. Por fatkeqësia e këtyre dy ngjyrave të skajshme është kur zëvendësohet lidhëza “e” me atë “ose”, çka jep: e bardhë ose e zezë, domethënë ose njëra, ose tjetra, rrugë të mesme nuk ka! Qëndrim ky përjashtimor! Këtë dukuri e vë re çdo ditë tek qarkulloj me biçikletë: kur i jap në trotuar, këmbësorët nuk para janë fort të kënaqur, sepse më konsiderojnë si drejtues automjeti që dhunon hapësirën e tyre; kur i jap në rrugë, jo rrallë drejtuesit e makinave e shprehin haptas pakënaqësinë e tyre ndaj meje sepse, ngaqë u mëshoj pedaleve me këmbë, më konsiderojnë si treçerek këmbësor që, si i tillë, i shqetëson në territorin e tyre. Pra, kur jam majë biçikletës, nuk jam as shofer, as këmbësor dhe i bezdis radhazi të dy këto lloje qarkullimtarësh. Ky përjashtim nga hapësira publike, më kujton një shoqe klase në shkollë fillore që ishte me flokë të kuqe, pra, as bionde, a brune. Të gjithë, si ata e ato me flokë të zinj apo gështenjë, ashtu edhe ata e ato me flokë të verdhë apo lajthi, e thërrisnim me nofkën Kuqsja deri aty saqë mua sot nuk më kujtohet më emri i saj i vërtetë. Një padrejtësi të së njëjtës natyrë, por më të rëndë sepse diskriminuese, më kujton realiteti i para disa dhjetëvjeçarëve përshkruar në disa filma amerikanë, padrejtësi që u bëhej (e ndoshta u bëhet ende) në vendet me raca të ndryshme fëmijëve të lindur nga çiftet ku njëri nga pjesëtarët ishte (ose ende është) me ngjyrë dhe tjetri i bardhë: asnjëra nga këto bashkësi nuk para i kishte (e ndoshta ende nuk i ka) qejf këta fëmijë racëshkartisur. Në disa vende, viktima të së njëjtës padrejtësi kanë qenë deri para disa vitesh (ndoshta ende vazhdojnë të jenë) edhe biseksualët, sepse janë hem heteroseksualë, hem homoseksualë, pra, seksshkartisur, dhe secili nga këto dy grupime nuk para kishte (e ndoshta ende s’ka) fort besim tek ata.
Ky qëndrim përjashtimor ka nisur të vihet re këto kohët e fundit edhe në politikën shqiptare, ku dy partitë e mëdha duken se kanë vendosur t’i nxjerrin jashtë lojës zgjedhore të ashtuquajturat parti të vogla, në shumicën e rasteve mini ose mikroparti që kanë mbijetuar deri më sot vetëm e vetëm falë aleancave me Partinë Demokratike ose me Partinë Socialiste. Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se këtyre mini ose mikropartive, që janë mësuar të miklohen apo të llastohen deri dje nga dy partitë e mëdha, do t’u përshtatej fare mirë batuta e gjeneralit De Gaulle për një parti të vogël në Francën e asaj kohe: “Partia Socialiste e Unifikuar ka pesë anëtarë dhe gjashtë tendenca”. Por, për hir të së njëjtës të vërtetë, duhet pranuar nga ana tjetër se këto mini ose mikroparti i jepnin goxha larmi, ndonëse shpesh folklorike, peizazhit politik në Shqipërinë postkomuniste, larmi kjo e domosdoshme deri tani vonë për ta bindur faktorin ndërkombëtar se sistemi monist ka marrë fund një herë e përgjithmonë. Gjithsesi, si po venë punët, dy partitë e mëdha duken se parapëlqejnë sistemin bipartiak amerikan, prandaj u morën vesh midis tyre dhe imponuan sistemin zgjedhor proporcional rajonal me synimin që këndvështrimi i brishtë maksipluralist (i cili rezulton mjaft artificial në Shqipëri ku elektorati i mini ose i mikropartive duket mjaft i kufizuar) të thjeshtohet në një këndvështrim të qëndrueshëm minipluralist (mjaft i natyrshëm për shqiptarët që historikisht kanë pasur prirje ta shohin realitetin në mënyrë bipolare, për të mos thënë manikeiste: e mira dhe e keqja, republika dhe monarkia, e majta dhe e djathta, revolucionarët dhe reaksionarët, pra, e bardha dhe e zeza).
Gjithsesi, le të shpresojmë që ditën e zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, nëse do të vazhdojë të jetë i vlefshëm sistemi zgjedhor proporcional rajonal, të paktën biçiklistët, kuqalashët, racëshkartisurit dhe biseksualët, si edhe mjaft viktima të tjera të praktikave përjashtuese, me një fjalë tërë margjinalët, do të votojnë së bashku e njëzëri për mini ose mikropartitë. Sepse bashkimi të bën të fuqishëm. Me kusht, ama, që fuqia e cila do të rrjedhë prej tij t’ua forcojë personalitetin mini ose mikropartive. Ndryshe do të përsëritet komedia e tyre e deritanishme e qylit elektoral.