E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK: Berisha të mbledhë tryezën e partive

 

Partia Demokristiane i kërkon Kryeministrit Berisha që të mbledhë tryezën e partive politike për çështjen e Kodit Zgjedhor. Sekretari politik i PDK-së, Lazer Stani, në konferencën e djeshme për median deklaroi se, “si kryeministër dhe kryetar i forcës më të madhe politike të maxhorancës, ne i kërkojmë z. Berisha të fillojë menjëherë dialogun politik me partitë parlamentare të maxhorancës dhe opozitës për hartimin e një Kodi Elektoral gjithëpërfshirës dhe të pranuar nga palët”. “Edhe njëherë ne deklarojmë se kriza politike e krijuar nga hartimi i një Kodi antikushtetues dhe përjashtues, nuk është krizë apo konflikt brenda së majtës, por është krizë edhe brenda të djathtës, sepse përjashton nga administrimi i zgjedhjeve PDK, LZHK dhe forca të tjera politike të spektrit të djathtë. Përpjekja për të bërë të paditurin për këtë fakt të rëndë ngarkon me përgjegjësi direkte Kryeministrin Berisha”, deklaroi Stani. Ai theksoi se kjo situatë krize është krijuar nga pazaret e dy partive të vjetra, PD dhe PS, për të manipuluar procesin zgjedhor. “Për interesat e tyre të ngushta partiake, në dëm të partive të tjera rivale që kërkojnë një proces transparent dhe të ndershëm zgjedhor, si garanci dhe kusht për ecurinë e mëtejshme të procesit të integrimit të vendit”, tha Stani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›