E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Mafia e targave", në burg 7 zyrtarë të Transporteve

 

Armand Bajrami

Gjykata e Tiranës la dje në "arrest me burg", deri në përfundim të hetimeve dhjetë nga 11 personat e arrestuar të mërkurën nga operacioni "Targat e fundit". Në seancën e djeshme janë vlerësuar masat e sigurisë "arrest me burg", të dhëna përpara arrestimit të së pandehurve nga kjo gjykatë. Kjo masë nuk ka ndryshuar për 7-të të pandehur, ndërsa janë lënë në "arrest shtëpie" tre prej tyre dhe është lënë e lirë një tjetër e pandehur për shkak të problemeve shëndetësore. Gjykata vendosi lënien në burg deri në përfundim të hetimeve për Ylli Hasanin, me detyrë ish-komisionar për dhënien e lejeve të drejtimit të mjeteve pranë DRTRR; Vladimir Dervishin, bashkëpronar i autoshkollës "Majestik"; Pëllumb Mancilën, oficer i patrullës së përgjithshme në Komisariatin numër 4, në kryeqytet; Besjana Bellin, sekretare e Sektorit të Regjistrimit të Mjeteve në DRSHTRR; Feride Kateshin, punonjëse e agjencisë së sigurimeve pranë DRSHTRR; Daniel Camin, pranues dokumentesh në qendrën e kontrollit teknik të mjeteve pranë DRSHTRR Tiranë dhe Adrian Rushitin, sekser. Për të pandehurit Liman Doka, mësues në shkollën 9-vjeçare Lana-Bregas, Ela Shano bashkëpronare e autoshkollës "Majestik" dhe Shpresa Marashi, operatore në DTT gjykata vendosi dhënien e masës së sigurisë "arrest shtëpie". Ndërsa e pandehura Silvana Memia, arkiviste tek DRTRT është lënë e lire me masën "detyrim paraqitjeje". Shkak për këtë është bërë gjendja jo e mirë shëndetësore e të pandehurës çka detyroi Gjykatën të shmangë mbajtjen e saj në qeli. Në seancën e djeshme të pandehurit, të mbështetur edhe nga mbrojtësit e tyre ligjorë, nuk i kanë pranuar akuzat e ngritura nga Prokuroria. Ndërsa pala e akuzës ka kërkuar nga gjykata lënin në fuqi të masës së arrestit, pasi ka prova për implikimin e të pandehurve në veprat penale për të cilat akuzohen. Të arrestuarit e operacionit "Targat e fundit" dyshohet se duke falsifikuar dokumente kundrejt ryshfetit, pajisnin me leje drejtimi persona që nuk e meritonin si edhe siguronin dokumente për makina me doganë false. Hetimi për veprimtarinë e jashtëligjshme të zyrtarëve të mësipërm kishte filluar disa muaj më parë nga Antikrimi Ekonomik dhe zyra e Antikorrupsionit e policisë së kryeqytetit. Hetimet u drejtuan nga Zyra Task-Force në Prokurorinë e Tiranës, e cila kërkoi lënien në qeli të shtatë të arrestuarve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›