E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhufi: Kodi, Rama përgjegjës

 

Aristir Lumezi

Lëvizja Socialiste për Integrim i kërkon dy partive kryesore të gjejnë vullnetin politik për të bërë rregullimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor. Nënkryetari i kësaj partie, Pëllumb Xhufi i kërkoi kryetarit socialist Edi Rama të mos bëhet pengesë në procesin e përmirësimit të Kodit Zgjedhor. “LSI i drejtohet edhe njëherë Partisë Socialiste dhe kryetarit të saj, zotit Edi Rama, duke kujtuar se Partia Socialiste është evidentuar dhe ka dashur vetë të evidentohet si protagoniste e Reformës Zgjedhore. Në këto kushte ajo rrezikon të marrë mbi vete përgjegjësi specifike, të paprecedentë për ecurinë e zgjedhjeve në fjalë. Gjithashtu, të marrë përgjegjësi edhe për rezultatin e tyre”, tha Xhufi. Sipas tij, LSI gjykon që ky është çasti i fundit, për të hequr dorë nga egoizmat dhe nga këshilltarët egoistë dhe mbi të gjitha ne gjykojmë se është krejtësisht i papërligjur nxitimi, për të kaluar një Kod, që nesër mund të rezultojë vetëvrasës për vetë Partinë Socialiste dhe të majtën në përgjithësi. Nënkryetari i LSI-së i kërkoi dy partive kryesore në vend të dëgjojnë apelin e vazhdueshëm, që bëjnë ndërkombëtarët për një dialog gjithëpërfshirës për standardet e zgjedhjeve në Shqipëri. “Lëvizja Socialiste për Integrim gjykon se ky është çasti i fundit, për të bërë rregullimet e fundit të Kodit, në përputhje me frymën dhe standardet evropiane. Por, edhe për të përmbushur rekomandimet specifike të OSBE-ODIHR-it dhe së fundmi dhe ato të Komisionit Evropian, të cilat janë bërë nëpërmjet zëdhënëses së komisionarit të Oli Rehn, zonjës Kristina Nagi dhe që kërkon përfshirje në dialog të gjithë partive të tjera”, tha Xhufi.
Sipas tij, është e qartë për të gjithë se Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, me ligjin kushtetues për sistemin e ri zgjedhor dhe së fundmi me Kodin e ri Zgjedhor kanë në duar një precedent elektoral, të bazuar në filozofinë e përjashtimit, të mbylljes së sistemit dhe të ngushtimit të hapësirave demokratike. Gjithkush duhet ta kuptojë sot, më shumë se kurrë, se nuk ka njeri, nuk ka institucion, nuk ka as Zot në Qiell apo në Tokë, që të mund të mbrojë sot një filozofi të tillë dhe nuk mund ta mbrojë këtë as për sa i përket Shqipërisë. Nënkryetari i LSI-së i kërkoi kreut socialist t’i përgjigjet ftesës, që kryetari i LSI-së i ka bërë për një dialog, pasi sipas tij “nuk ka absolutisht asnjë arsye për të refuzuar një ftesë të tillë për dialog”. Ndërkohë, LSI i kërkoi dje kryeministrit Berisha të mbajë përgjegjësinë, që i takon për përgatitjen dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›