Rama: Të zgjedhurit, llogari për votën që kanë marrë
Kryetari socialist Edi Rama, i pranishëm në një takim të Bordit të Qytetarëve në qytetin e Elbasanit, u shpreh se vështirësia sot në politikë është mbajtja e premtimeve që ke dhënë kur ke kërkuar votën e qytetarëve. Sipas tij, votuesit, të cilët duhet të angazhohen në forume qytetare nuk duhet të harrojnë ato premtime që kanë marrë nga të zgjedhurit dhe për këtë të kërkojnë llogari.
“Një nga gjërat që duhet të përbëjë shqetësim të përbashkët dhe që ne duhet të luftojmë, është që t’i japim memorie raportit me ata që marrin votën. Duhet të ketë një fuqi qytetare për të komunikuar tek komuniteti nevojën për të patur memorien lidhur me ata që kërkojnë votën. Çfarë kanë premtuar dhe pse nuk duhet apo duhet t’ua japim votën. Dhe këtë duhet ta bëjnë sa më shumë njerëz, për t’i dhënë një cilësi tjetër marrëdhënies me ata që votohen dhe ato që votojnë, të zgjedhur dhe zgjedhësit”, tha Rama. Sipas kreut socialist, në realitetin e sotëm politik, “të zgjedhurit në këtë vend duhet ta kuptojnë çdo herë e më shumë, se nuk është më e lehtë, por bëhet gjithmonë e më e vështirë që të marrësh votën në rast se nuk ke dëshmuar se je në gjendje të bësh ato që thua”. Ai tha se “përfshirja në politikë nuk është implikimi i drejtpërdrejtë në një karrierë politike, por është implikimi i drejtpërdrejtë në përpjekjen për të zgjidhur bashkë me të tjerët problemet e tua personale, që nuk i zgjidh dot vetëm”. Ai i ftoi qytetarët të bëhen më aktive në politikë, pasi të vetëm ata nuk mund të përmirësojnë asgjë për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve. “Mund të gjejmë plot arsye pse njerëzit duhet të merren me politikë dhe pse njerëzit duhet të heqin dorë nga këndvështrimi naiv, se mund të bëjnë pa politikën. Për çfarë arsye? Sepse merresh apo nuk merresh me politikë, politika merret me ty çdo ditë. Do apo nuk do, politika është në koston e faturës së dritave, ujit, të shpenzimeve, është në cilësinë e arsimit, shërbimit shëndetësor, transportit, infrastrukturës, kudo”, tha Rama.