E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bardhi: Efektivët kërcënuan me armë dy deputetët e opozitës. Policia: Ishin shkopinj gome

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka hedhur akuza ndaj Policisë së Shtetit se efektivët e saj kanë kërcënuar me armë dy deputetëve të opozitës, Luan Baçit dhe Bledjon Nallbatit.

Në një deklaratë për mediat, Bardhi tha se dy deputetëve u është drejtuar arma nga forcat speciale të policisë në kohën kur ato ishin brenda ambienteve të Kuvendit.

“Momenti në video ku punonjësi i policisë me skafandër në ambientet e brendshme të Kuvendit i tregon armën dy deputetëve të Shqipërisë, Luan Baçit dhe Bledjon Nallbatit. Në ambientet e brendshme të kuvendit forcat speciale të policisë së shtetit kërcënojnë me armë deputetëve brenda ambienteve të tyre të punës. Kjo është ajo që ndodhi kur për herë të parë janë lejuar me urdhrin e kujt nuk e dimë, por përgjegjësinë e mban Elisa Spiropali. Ky është akt  kërcënimi me jetë i deputetëve”, tha Bardhi.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Policisë së Shteti duke përgënjeshtruar lajmin dhe thënë se efektivët që garantojnë sigurinë gjatë tubimeve nuk kanë qenë të pajisur me armë por vetëm me shkopinj gome.

Sipas Policisë së Shtetit, vajtja e efektivëve para Kuvendit erdhi i rezultat i zhvendosjes së protestuesve të opozitës nga Bashkia Tiranë drejt institucionit të parlamentit.

“Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, kanë marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për mbarëvajtjen e tubimit të organizuar para bashkisë Tiranë. Gjatë tubimit është bërë thirrje që pjesëmarrësit t’i drejtoheshin Godinës së Kuvendit.  Shërbimet e Policisë, konform ligjit, forcat policore kanë marrë masa për të garantuar sigurinë e institucioneve shtetërore ne rastin konkret te Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për të parandaluar një sulm të mundshëm nga protestuesit ndaj këtij institucioni.

Bazuar në ligjin “Për tubimet”, punonjësit e Policisë, të angazhuar për mbarëvajtjen e tubimit, asnje punonjes policie nuk ka qene i pajisur me armë zjarri gjate tubimit, po vetëm me mjete mbrojtëse dhe me shkopinj gome. Përgënjeshtrojmë lajmin që punonjës të Policisë, në tubim, iu kanë nxjerrë tubuesve, armët e zjarrit. Policia e Shtetit është e vendosur për të garantuar të drejtën e tubimit, liritë dhe të drejtat e tjera të qytetarëve, si dhe pronën publike dhe atë private. Ndërkohë, Policia e Shtetit do të kryejë të gjitha veprimet hetimore dhe shtetasit përgjegjës për veprimet e dhunshme ndaj punonjësve të Policisë, do të kallëzohen në Prokurori”, thuhet në njoftimin e policisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›