Bardhi: Kush ngre dorë mbi rininë, dëshmon frikën nga zëri i saj

TIRANË, 13 tetor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi i bëri thirrje sot Policisë së Shtetit të ndalë terrorin ndaj studentëve dhe mos t’i dhunojë ata.
Në një reagim lidhur me protestën në rrjetet sociale, Bardhi tha se “të rinjtë dhe të rejat që protestojnë për një Shqipëri më të mirë meritojnë respekt, jo dhunë; përgjigje, jo represion; liri, jo frikësim! Kush ngre dorë mbi rininë, dëshmon frikën nga zëri i saj dhe nga ndryshimi që ajo kërkon”.
“Asnjë pushtet nuk mund ta shuajë me dhunë zërin e një brezi që kërkon dinjitet, drejtësi dhe të ardhme në vendin e vet. Mos e ngatërroni heshtjen me bindjen dhe frikën me nënshtrimin. Rinia nuk intimidohet, nuk blihet dhe nuk ndalet”, theksoi Bardhi.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së u shpreh se “çdo akt dhune ndaj studentëve është një akt kundër së ardhmes së Shqipërisë. Dhe çdo pushtet që zgjedh dhunën përballë rinisë, përshpejton humbjen e legjitimitetit të vet”.
“Duart larg studentëve”, tha Bardhi.
/k.s/a.f/r.e/