E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Nuk ndalemi pa e sjellë flamurin kombëtar krah flamujve të vendeve të BE-së

TIRANË, 13 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama shprehu sot vendosmërinë për të valëvitur flamurin kombëtar përkrah flamujve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Bashkë me ekipin negociator, kryeministri Rama doli në një videomesazh nga Luksemburgu, pas punimeve të Konferencës së 10-të Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Europian, ku u mbyll Kapitulli 20, “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”.

“Ja ku jemi prapë. Po ne jemi. Po këtu jemi. Prapë një kapitull u mbyll se pa e sjellë flamurin e Shqipërisë këtu dhe pa e vënë në krye, sepse është Albania me A dhe është më i bukuri flamur i Europës, ne nuk i ndahemi këtyre. Dhe kush nuk na ndahet ne thjesht dhe vetëm na ndihmon që ta bëjmë më shpejt këtë punë. Kurse ata që nuk duan, duan, s’duan, prapë do gëzohen kur ne të vendosim këtu flamurin e Shqipërisë”, u shpreh Rama.

Me mbylljen e këtij kapitulli, Shqipëria arrin në katër kapituj të mbyllur përkohësisht, duke vijuar progresin e negociatave të anëtarësimit dhe objektivin për përmbylljen e tyre brenda vitit 2027.

Kapitulli 20 lidhet me zhvillimin e sipërmarrjes, politikat industriale, mbështetjen e bizneseve, inovacionin dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare.

/m.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›