E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama nga Luksemburgu: Përparimi drejt objektivit tonë historik, i pandalshëm

TIRANË, 13 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Luksemburgu, se “Shqipëria mbyll sot një tjetër kapitull me Bashkimin Europian duke rikonfirmuar se përparimi drejt objektivit tonë historik është i pandalshëm”.

Në një prononcim për mediet, pas mbërritjes në Qendrën Europiane të Konventave, për mbylljen e negociatave për Kapitullin e 20-të “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”, Rama u shpreh se planet janë ambicioze dhe pritet mbyllja e të tjerë kapitujve brenda këtij viti.

“U kthyem edhe një herë për të mbyllur një tjetër kapitull dhe për të rikonfirmuar që përparimi drejt objektivit tonë historik është i pandalshëm. Ndërkohë sapo kam kryer disa takime inkurajuese për çfarë vjen më pas. Pra planet janë ambicioze, brenda këtij viti synojmë të mbyllim edhe më shumë kapituj”, tha Rama.

Kryeministri shprehu bindjen se sa i takon palës shqiptare do të jemi në çdo hap plotësisht në përputhje me afatet në këtë proces.

I pyetur se sa kapituj do të mbyllen deri në fund të këtij viti, Kryeministri theksoi se nuk mund të jepte shifra.

“Thjesht po them se sot do të mbyllim edhe një tjetër kapitull, që bëhen katër gjithsej dhe kanë mbetur së paku edhe dyfish që pritet të jetë shifra për këtë vit. Por le të shohim”, tha Rama.

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›