Kos: Nëse dinamikat në BE do të jenë pozitive si sot, anëtarësimi do të ishte i mundur para 2030-ës

TIRANË, 13 tetor/ATSH/ Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos theksoi sot se “në qoftë se dinamikat në shtetet anëtare do të vazhdojnë të jenë po kaq pozitive sa sot, po, anëtarësimi përpara 2030-ës do të ishte i mundur”.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, ministrin e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Mbrojtjen të Irlandës, Thomas Byrne, pas Konferencës së 10-të Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Europian, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse do të çojnë rregullat e reja të anëtarësimit drejt anëtarësimit të Shqipërisë përpara 2030-ës, Kos u përgjigj se “këtë nuk e di. Do të mund t’i përgjigjem pyetjes suaj pak më vonë, sa më pranë të shkojmë drejt mbylljes së negociatave, më e lehtë do të jetë”.
“Por ajo çfarë shohim tashmë është një shtysë, një nxitje që vështirë e shohim për vendet që duan të arrijnë anëtarësimin dhe prandaj thashë që ne mbështesim ambicien e Shqipërisë për t’i përmbyllur negociatat deri në fund të vitit 2027”, tha Kos.
/k.s/r.e/