Bardhi: Mamurrasi nuk dorëzohet aq lehtë
Trajneri i Mamurrasit, Sinan Bardhi, duke bërë radiografinë e ndeshjes së fundit, thekson se humbja në Elbasan erdhi si pasojë e gabimeve në mbrojtje. Sipas tij, futbollistët u çorganizuan në mesin e pjesë së parë dhe lanë hapësira të mëdha. Humbja në Elbasan mund të ishte evituar. E them këtë, pasi u ndëshkuam nga dy gola, që erdhën për shkak të gabimeve në mbrojtje. Futbollistët tanë nuk arriten ti zbatonin detyrat e dhëna para ndeshjes.
Më pas, ekipi reagoi mirë, por kundështari, pasi shënoi golin e dytë, e kishte shumë më të lehtë për ta mbrojtur. Mamurrasi e kërkoi golin me shumë forcë, por pa sukses. Pjesa e dytë ka folur e gjitha për ne dhe mund të kishim barazuar, sepse i patëm rastet, por nuk i shfrytëzuam. Gjithsesi, Elbasani është një kapitull i mbyllur dhe defektet do të mundohemi ti eliminojmë gjatë javës. Do të kërkojmë të rikthehemi sa më shpejt të jetë e mundur te fitorja, u shpreh trajneri Bardhi.
Pavarësisht situatës aktuale, ai beson se pozitat e Mamurrasit nuk janë lëkundur: Nuk më tremb diferenca e pikëve me rivalët. Edhe kampionatin e kaluar patëm probleme, por arritëm ti kapërcenim me sukses dhe të luanim në play-off. Sigurisht që tani kërkojmë kalimin direkt në superligë dhe për këtë jemi të vendosur që në janar të bëjmë një merkato cilësore. Do të bëjmë 4 përforcime, që do të na japin mundësi ta arrijmë objektivin, ka përfunduar trajneri i Mamurrasit, Bardhi.
