Erik Abidal: Dua ta mbyll te Barcelona
Mbrojtësi i Barcelonës, Erik Abidal, është zotuar se do ta mbyllë karrierën në “Camp Nou”, ndërsa komentet e tij vijnë vetëm disa orë pasi zëvendëspresidenti i blaugranave, Josep Maria Bartomeu, deklaroi se është pranë arritja e një marrëveshjeje për zgjatjen e kontratës së francezit. Kontrata aktuale e Abidalit skadon në fund të sezonit, ndërsa Bartomeu ka thënë se drejtuesit e klubit janë të interesuar që ta mbajnë atë. “Klubi dëshiron të ma zgjasë kontratën dhe unë dua ta vazhdoj aventurën time me Barcelonën. Siç kam thënë gjithmonë edhe më parë, dua ta përfundoj karrierën te Barcelona. Gjërat janë të komplikuara, por është e qartë se do të gjejmë një zgjidhje. Mendoj se të gjithë mund të arrijmë një marrëveshje”, ka thënë mbrojtësi i krahut të djathtë.