E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gramozi i zhgënjen të gjithë me disfatën në Skrapar

Nga Kristi Lilo

Humbja në Skrapar mund të mendohej nga kolonjarët, por asnjëherë kaq e thellë. Gramozi ka pësuar 3 gola, duke regjistruar humbjen më të thellë në këtë kampionat. Pas 10  javëve të para, Gramozi renditet në mesin e tabelës, me 14 pikë të grumbulluara. Janë shumë pak për një ekip me pretendime për në superligë. Në këto kushte, kolonjarët thjesht duhet të mendojnë për një pozicion sa më komod, sepse superliga duket e paarritshme.

Në Skrapar trajneri Qirjako kishte 5 mungesa të rëndësishme, por lojtarët besonin se do të merrnin të paktën një pikë. Ata kanë gabuar në të tri repartet, duke zhgënjyer totalisht dhe duke vërtetuar se pa titullarët Gramozi e ka shumë të vështirë të marrë pikë. Kolonjarët luftuan shumë në pjesën e dytë dhe goditën dy herë shtyllën, por përvoja e tyre e paktë bëri që të mos shënohej as goli i nderit.

Gramozi ka rikonfirmuar faktin se në transfertë nuk shfaq vlerat e tij. Trajneri Qirjako, nisur nga kjo gjendje, ka filluar që tani të mendojë për merkaton e janarit. Mbetet për tu parë se çfarë do të bëjë Gramozi në javët e mbetura të fazës së parë, kur të jenë kthyer edhe të dëmtuarit apo të pezulluarit. Këtë ekip e presin takime më të vështira, pasi në 3 javët e fundit do të ndeshen me 3 kryesuesit: Luftëtarin, Besëlidhjen dhe Lushnjën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›