E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paro Laçi del garant për rrogat e Partizanit

Nga ILIR CARA

Ish-administratori dhe aksionari i Partizani sh.a. ka qenë i pranishëm në seancën stërvitore dhe ka premtuar shlyerjen e rrogave

Pas hovit që mori situata në kampin e kuq në fillim të sezonit, ku Partizani u rreshtua sërish si pjesëtar i Ministrisë së Mbrojtjes, ka disa ditë që janë turbulluar sërish ujërat te demat e kuq. Dje është bërë i ditur qëndrimi i administratorit Gjergji Thaka, që ndihet i lodhur nga premtimet e parealizuara dhe me dhimbje kërkon dorëheqjen nga detyra që ushtron. Dje ishte e pamundur të kontaktoje me Thakën, pasi telefoni i tij ishte i fikur, ku edhe vetë stafi dhe ekipi nuk kishte pasur kontakt.

Por në seancën e djeshme stërvitore situata ka pësuar një tjetër përmbysje. Ish-administratori Paro Laçi, njëkohësisht aksionar i shoqërisë aksionare Partizani sh.a. me 40% të aksioneve, ka takuar futbollistët dhe stafin në ambientet e ish-Shkollës së Bashkuar. Laçi u ka premtuar lojtarëve se rrogat që presin do tua shlyejë ai, si dhe do të heqë edhe shpenzimet për transfertën e radhës me Delvinën.

Njëkohësisht, Paro Laçi u ka premtuar të kuqve se në rast fitoreje me Turbinën, takim që vjen pas Delvinës, ata do të përfitojnë premio superlige. Mësohet se Paro Laçi është paraqitur para të kuqve jo me statusin e ndonjë fuksioni, por si një dashmirës i Partizanit, që kërkon ta ndihmojë ekipin e zemrës në këtë moment të turbullt.

Dihet që edhe kur ishte në administrim të Partizanit, Paro Laçi ka qenë partizan i rikthimit të skuadrës tek ministria, pasi vetëm ajo mund ta ngrinte. Në fundjavë Partizani luan në transfertë me Delvinën, por nuk dihet se ku do të zhvillohet ky takim, pasi fusha e Delvinës është e pezulluar. Të kuqtë kërkojnë që ky takim të luhet në Ballsh, duke ditur se Delvina duhet të gjejë një terren 100 km larg fushës së saj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›