Durrës, nis kontrolli i pikave të gazit dhe karburantit
Prej një jave ka nisur në shkallë qarku verifikimi dhe kontrolli i të gjitha pikave të gazit dhe karburanteve, të cilat përbëjnë rrezik serioz për jetën e komunitetit. Por çuditërisht vatrat më të rrezikshme janë gjendur jo në komuna e bashki të vogla, por pikërisht në qytetin e Durrësit, dhe brenda vijës së tij të verdhë. Prefektura e Durrësit ka siguruar një informacion të rëndësishëm lidhur me situatën e pikave të shpërndarjes së karburanteve dhe të gazit si dhe rreziqet që paraqesin për popullatën një pjesë e mirë e tyre. Informacioni është dërguar edhe në Tiranë ndaj ka të ngjarë që Inspektorati i Policisë Ndërtimore i Tiranës të vijë në Durrës për të prishur pikat e rrezikshme.
Prefekti i Durrësit, Kodian Pajuni, organizoi një grup pune me ekspertë të fushës, të cilët për disa ditë me radhë ushtruan kontrolle në Durrës dhe në fshatrat kryesore të tij. Objekti i këtij kontrolli ishin pikat e shpërndarjes së karburanteve dhe të gazit, të cilat rrezikojnë jetën e banorëve, pasi janë ngritur në vende të cilat nuk plotësojnë kriteret. Nga kontrolli rezultoi se në Durrës dhe zonat rreth tij janë 19 pika shpërndarjeje karburanti, të cilat janë klasifikuar të rrezikshme për jetën e banorëve, ku 10 prej tyre ndodhen brenda në qytetin e Durrësit në 5 lagje të tij, 5 pika të tjera janë ndërtuar në Shijak, 1 në rrugën Spitallë - Shën Vlash dhe dy në rrugën Manëz - Ishëm. Grupi i punës konstatoi 17 njësi të rrezikshme autogaze brenda qytetit të Durrësi dhe pranë tij. Ato funksionojnë në Shkozet, Port, Ura e Dajlanit, Spitallë e në ndonjë lagje tjetër. Prefektura ka klasifikuar edhe 3 njësi shumë të rrezikshme të mbushjes së bombolave me transfazim, të cilat janë ndërtuar në pjesët e brendshme të Durrësit. Prefektura e ka dërguar informacionin lidhur me këto pika shpërndarjeje të karburantit dhe të gazit në Tiranë. Prefekti Pajuni deklaroi për “standard” se “është Inspektorati i Policisë Ndërtimore i Tiranës ai që ka të drejtë të ndërhyjë për prishjen e tyre, por kjo do të ngjasë po qe se ministria përkatëse, e cila ka lëshuar licencat për aktivitetin e tyre, do të prishë marrëveshjen me pronarët e tyre”. Të gjitha pikat e klasifikuara si të rrezikshme dhe shumë të rrezikshme janë të licencuara dhe paguajnë detyrimet ndaj shtetit.