Bari dhe ndërtimet pushtojnë Arnisën
Qytezës së vjetër antike të Arnisës, e cila ndodhet në fshatin Babunjë të Lushnjës i ka mbetur vetëm emri si një pikë antike dhe me vlera. Arnisa mendohet prej historianëve se i përket shekullit IV para Krishtit. Aktualisht ajo është shkatërruar totalisht dhe njihet vetëm nga shenjat e pakta që kanë mbetur në hartat historike, si dhe në terren. Sipërfaqja ku shtrihet qyteti antik, që konsiderohet si një nga më të vjetrit në vend, është mbuluar tërësisht nga barishtet. Por, jo vetëm bari ka mbuluar vlerat arkeologjike, por edhe dora e njeriut ka ndërhyrë. Sipas arkeologëve të Fierit dhe të Lushnjës denoncohet se mbi sipërfaqen e Arnisës banorët e Babunjës kanë ndërtuar edhe shtëpi banimi. Numri i ndërtesave është i lartë dhe ato kanë shkatërruar monumentet dhe veprat e artit që i përkasin kohës së antikitetit.
Alarmin për zaptimin dhe cenimin e qytezës antike e jep edhe arkeologu Niko Ferra. Duke treguar sipërfaqen ku shtrihet qyteti i Arnisës, arkeologu Ferra ka thënë se “kjo kodër është vendi ku mendohet se shtrihet qyteti ilir. Ky qytet themelimin e tij e ka në shekullin XII. Një pjesë e kodrës që është ende pa u zënë fsheh qeramikën e shekullit IV Para Krishtit. Por, ajo që alarmon këtu lidhet me harresën e kësaj pike arkeologjike”.
“Barishtoret kanë bërë punën e vetë, duke zënë një pjesë të madhe të sipërfaqes së qytezës. Por edhe njeriu ka shkatërruar këtë vlerë. Duhet ndërhyrja e autoriteteve përkatëse”, ka thënë arkeologu Niko Ferra. Apeli i arkeologut pason ato të shumë të tjerëve të bërë prej kohësh për këtë zonë arkeologjike. Fondet e munguara e kanë lënë Arnisën thjesht pjesë përbërëse e hartës arkeologjike. Gojëdhënat tregojnë se në shekullin e parë para Krishtit, Arnisa është djegur si qytet dhe që atëherë ka nisur harresa e kësaj vlere historike për Qarkun e Fierit, i cili numëron disa pika të tilla për nga vlera historike.
#