E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luhatja e tensionit, digjen pajisjet elektrike të tre fshatrave

Selishta, Buzëmadhi dhe Varibopi janë fshatrat ku tensioni ka shënuar dëmtime në masë

Ndryshimi i kushteve atmosferike ka sjellë probleme në furnizimin me energji elektrike. Kjo e fundit ka munguar si shkak i defekteve të shumta në rrjetin shpërndarës. Ndërsa brigadat e elektricistëve kanë ditë që po merren me riparimin e defekteve, në zonat rurale është regjistruar tension i luhatshëm. Luhatja e tensionit është bërë shqetësuese në fshatrat e Komunës së Cakranit. Banorët e kësaj zone tregojnë se prej tri ditësh kur janë kthyer edhe reshjet e shiut, në banesa u vjen një energji me tension të luhatshëm. Herë tensioni është i lartë dhe herë në minimum. Këtë banorët e kanë verifikuar jo vetëm nga llambat e ndriçimit, por edhe nga pajisjet elektrike, të cilat janë dëmtuar duke u djegur. Selishta, Buzëmadhi dhe Varibopi janë fshatrat ku tensioni ka shënuar dëmtime në masë. Në këto tre fshatra është një numër i madh familjesh që kanë pësuar dëmtime në pajisje elektrike, si pasojë e luhatjes së tensionit. Vlera e pajisjeve shtëpiake të djegura është e madhe. Banorët tregojnë se pasditen e së hënës u ka ndodhur “katastrofa”. “Ishim duke parë ndeshjen e pasdites. Unë jam tifoz i Italisë. Mezi e prisja. Ndërsa ishte minuta e 30 e ndeshjes nga televizori më del tym. Kur ç’të shoh edhe frigoriferi dhe rrobalarësja po nxirrnin tym”, ka thënë Petrit Sadaj, banor i Selishtës. Fatimeja, banore e fshatit Buzëmadhi, thotë se jo vetëm në banesën e saj, por dhe të djemve dhe të të afërmeve të tjerë janë shënuar djegie të pajisjeve elektrike. “Gjithë lagjja jonë është dëmtuar nga tensioni. është hera e dytë që ndodh. Kush do të na dëmshpërblejë”, ka thënë Fatimeja. Afro 170 shtëpi rezultojnë të prekura nga dëmtimet e pajisjeve elektrike. Dëmet përllogariten në disa milionë lekë. Paraditen e së mërkurës banorët i janë drejtuar filialit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes në Fier ku kanë shprehur shqetësimin e tyre. Përveç riparimit të defektit të përsëritur banorët kanë kërkuar dëmshpërblim. Asnjë nga të dyja kërkesat nuk është marrë parasysh prej drejtueseve të OSSH-së, të cilët nuk kanë preferuar të prononcohen as për mediat. E ndërsa banorët shprehen për një reagim të ashpër, autoritetet e OSSH-së e kanë braktisur zonën në mëshirë të tensionit të energjisë, “kapriçiot” e të cilit po dëmtojnë familjet e varfra të këtyre zonave rurale. Kujtojmë se dy ditë më parë, edhe në qytetin e Fierit, si pasojë e një defekti në nënstacionin Fieri 1, mbeti pa energji një pjesë e madhe e rrethit, ndërkohë që pati edhe dëmtime si pasojë e tensionit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›