Zogaj: Lezha të korrigjojë vendimin në zyrën e Berishës
ADI SHKEMBI
Unë po i ftoj dem-okratet dhe elektoratin e gjerë të qarkut të Lezhës të korrigjojnë me votën e tyre vendimin e paarsyeshëm të Berishës në zyrën e tij. Tre ditë pas shpalljes së emrave të kandidatëve për deputetë, i mbetur jashtë listës së PD-së, Preç Zogaj, flet në një intervistë për gazetën “Panorama” për vendimin e marrë për të kandiduar nga partia e Ngjelës.
Zyrtarët e PD-së, konkretisht zonja Topalli ka thënë se në vendin e shtatë, ku ju kishin renditur, ju ishit një deputet i sigurt i PD-së në qarkun e Shkodrës. Pse duhej ta refuzonit këtë shans?
“I sigurt”, “i pasigurt”- kjo nuk bën pjesë në mënyrën time të të menduarit. Të qenët deputet nuk e konsideroj qëllim në vetvete, as nëpunësi të zakonshme, ca më pak një lëmoshë. Madje kjo me neverit, njëlloj siç me neveriste dhe me fyente në shpirt, shumë vite me parë, pritja pa fund se çdo vendoste Komiteti i Partisë së rrethit për të drejtën time të studimit, që ishte gjithmonë negative. Hyrja me dinjitet në Kuvend, hyrja në bazë të disa parimeve- kjo është në stofin tim. Mënyra e hyrjes përcakton mënyrën e sjelljes.
Nuk i përmbushte këto kërkesa kandidimi në qarkun e Shkodrës?
Nuk i përmbushte. Sigurisht nuk i përmbushte.
Por do fitonit, sipas sondazheve që ka PD-ja?
Shumë mirë që do të fitohet, PD do ta ketë atë vend, i uroj fitoren kandidatit që më ka zëvendësuar, do ta ndihmoja po t’i lipsej ndihma ime. Po nuk është ky problemi, nuk është ky ushtrimi që më është dashur të zgjidh pasditen e së martës.
Cili është ushtrimi?
E kam thënë disa herë këto ditë: Nga momenti kur mësova se isha hequr nga Lezha, deri në momentin kur skadonte koha e regjistrimit të listës së kandidateve, nuk kisha më shumë se një orë në dispozicion. Përgjatë kësaj ore më duhej të zgjidhja një dilemë, besoj të madhe, të karrierës dhe karakterit: në një anë silueta valëzuese e karriges se re të deputetit, që me jepej me shenjën e një mendimi të caktuar, në anën tjetër gjithë historia ime, gjithë lidhja ime e fuqishme njerëzore, shpirtërore dhe politike me Lezhën ku jam zgjedhur deputet. Ishte e vështirë, sepse, siç mund ta merrni me mend, isha shumë i befasuar dhe i prekur nga lajmi që më ishte dhënë. Por vendimin për të refuzuar largimin nga Lezha e mora me qetësi.
U konsultuat me njeri?
Me asnjeri. S’kisha kohë. Nuk mund t’i rëndosh miqtë, duke u kërkuar këshilla të rëndësishme kur je në cajtnot, domethënë në mungesë kohe. Por para se të përcillja në PD refuzimin, informova njerëzit e familjes.
Të mbështetën?
Sidomos babai. E dija se kjo i dhembte. Ai është një demokrat i vjetër, që ka paguar shumë në jetë për shkak të biografisë. Dajat e tij Gjin Jaku dhe Ndue Jaku janë pushkatuar pa gjyq nga regjimi komunist. Vetë Zogajt kanë qenë kulakë përgjatë njëzet e shtatë vjetëve, si ish-pronarë tokash që nuk deshën kolektivizimin. Ai na ka dhënë shembullin e përballimit me dinjitet të sfidave të ndryshme.
Ju kandiduat blitz për partinë e avokatit Spartak Ngjela. Ishte kjo një zgjedhje apo thjesht një zgjidhje?
Nuk do mend të kuptohet se në vendimin për të më larguar nga Lezha, ku kam kontribuar si asnjë deputet tjetër deri më sot, unë mora mesazhin se lidhjet e fuqishme me zonën dhe vendlindjen nuk vlejnë, kontributet nuk vlejnë, projekti për një Lezhë metropolitane që kam konturuar e po shërbej prej dy tre vjetësh nuk vlen, nxitja e përditshme e njësive të qeverisjes vendore për të bërë projekte nuk vlen, ngulmimi për të siguruar financimin e këtyre projekteve nuk vlen, të jetuarit çdo ditë me hallet dhe problemet e zgjedhësve nuk vlen. Mbi këtë bazë, në minutat e mbetura, duke vlerësuar se nuk mund të bëj tjetër dhe nuk mund të sillem ndryshe në të ardhmen dhe duke dashur të mbroj parimisht figurën e deputetit të popullit, që vërtet propozohet nga partia, por që formohet e rritet mes zgjedhësve, mora vendimin për të kandiduar në listën e partisë së avokatit Spartak Ngjela. Ky mik i vjetër, është njeriu që ka pas ndikuar rikthimin tim në PD. Rastisi që ai nuk kishte mbyllur listën për Lezhën dhe unë i jam mirënjohës për mundësinë që më dha.
A e dinit përbërjen e listës së qarkut të Shkodrës kur morët vendimin tuaj?
Emrat i mësova kur i shpalli Berisha.
Patët ndonjë ridimensionim të vendimit kur mësuat emrat?
M’u përforcua bindja. Mora mesazhe të tjera që po i shoh me kujdes për t’i ndarë dora-dorës me publikun.
Si për shembull?
Jam në fushatë dhe më duhet t’i saktësoj mirë gjërat para se t’i deklaroj. Për momentin fushata që kam nisur ka këtë objektiv: dua të mbroj me gjithë demokratët e qarkut figurën e deputetit të popullit, që respekton programin e partisë, që voton me luajalitet ligjet e qeverisë së tij, por që njëkohësisht krijon një lloj konsensusi në vendin ku zgjidhet e rizgjidhet. Ky është modeli, për këtë luftohet në botën demokratike, partitë janë të lumtura kur kanë deputetë të tillë që i konsiderojnë asete. Deputetë të tillë lëvizën apo “shkulen” nga toka e tyre vetëm për arsye madhore, që u njoftohen me respekt duke kërkuar miratimin e tyre.
Nuk ka ndodhur kjo në rastin e lëvizjes suaj?
Nuk ka ndodhur. Por më lejoni të vazhdoj shtjellimin e objektivit tim. Unë po i ftoj demokratët dhe elektoratin e gjerë të qarkut të Lezhës të korrigjojnë me votën e tyre vendimin e paarsyeshëm të Berishës në zyrën e tij. Ky është para së gjithash një qëndrim qytetar kundër mënyrës së mbyllur të përgatitjes së listave qoftë nga Berisha, qoftë nga Rama. Ky është një akt për të thyer mes përmes, me një shembull konkret, monopolin e listave, monopolin e gjykimit për të tjerët. Sado të aftë që janë dy liderët me të votuar, ata nuk janë të pagabueshëm. Nuk ka lider në botën demokratike që ta quajë veten të pagabueshëm. Prandaj ka një sistem konsultimesh me bazën. Në SHBA madje ka garë brenda llojit. Kurse në rastin tonë nuk u pyet askush. Sapo përfunduam zgjedhjet partiake në Lezhë, më të mirat e dhjetëvjeçarit të fundit. Punuam disa muaj dhe si përfundim nuk u mor asnjë mendim në asnjë forum. Po si do të bëjnë karrierë apo si do ta ruajnë investimin e tyre politik ata që për momentin nuk janë as në listën e miqve, as në listën e servilëve të kryetarëve. Ky është problemi i madh i vendit që ka publiku në vendimmarrje, i aksesit të publikut në politikë. Publiku është zhdukur, por duhet të ndihet, të duket, të jetë. Demokracia pa të është fiktive, është thjesht një lojë sterile pa të ardhme. Ja, pra, unë i kam ftuar zgjedhësit e qarkut të Lezhës në një akt që ka vlera emancipuese për politikën: të dëgjohet edhe publiku. Lezhës i shkon ky akt dhe kam bindjen se do ta përmbushë.
Ju keni bërë dje përgjegjës Berishën për spostimin tuaj dhe keni folur për një marrëdhënie të ndërlikuar me ngrohje ftohje më të gjatë këtyre viteve të demokracisë? Pse mendoni se ju ka spostuar Berisha?
Shikoni, jemi në politikë, jemi prej shumë vitesh në politikë me Berishën. Kemi hyrë së bashku si themelues të PD-së dhe shtypit të saj, kemi vazhduar herë të bashkuar, herë të ndarë, sekush me natyrën e vet, me stilin e vet, ai me partinë, me eskorta, me makina, me avionë e tjerë e tjerë, kurse unë, që jam një shkrimtar para së gjithash, kam ecur pothuajse vetëm, me aleaten time besnike Arsyen, që është kuptimi i vetëm i virtytit në politikë. Në këtë lloj rrugëtimi, Berisha, jo njëherë, sidomos kur është ndier në qiellin e shtatë, ka menduar të më krijojë pengesa dhe probleme. Pastaj jemi takuar prapë në tokë, nga njëherë në ditë të vështira për të dhe për demokracinë shqiptare, si bie fjala në ditët e para të marsit 1997 apo në ditët e para të dhjetorit 1999 kur unë, duke kontribuar për mbrojtjen e pluralizmit dhe PD-së si alternative qeverisjeje, kam ndihmuar me ketë rast edhe zotin Berisha personalisht. Këto sigurisht mund të kenë vlerë për kronikën. Politika vazhdon. Por do doja të nënvizoja se përsëritja e gabimeve nuk mund të bëhet pa përsëritjen e pasojave. Ky është një ligj.
Zoti Zogaj, si është pritur në qarkun e Lezhës kandidimi juaj në listën e partisë “Drejtësi dhe Ligj”?
Është pritur si një zgjidhje e detyrueshme për të gjitha arsyet që shpjegova. Rrjedhimisht është pritur si një vendim i drejtë nga një shumicë e konsiderueshme demokratësh dhe zgjedhësish. Por fushata sapo ka nisur dhe do kemi kohë të paraqesim programe të plota dhe zgjidhje të tjera.
Është kurioze të dihet si do ta përdornit ju një mandat të mundshëm në kushtet e krijuara?
Do ta përdor siç e kam përdorur gjithmonë: si një liberaldemokrat. Lezhjanët nuk kanë dyshim për këtë. Njihemi.