Bariç: “E ardhmja ime nuk varet nga Holanda”

Trajneri Baric ndodhet në Shqipëri edhe me një mision tjetër, tërësisht personal, që ka të bëjë me ripërtëritjen e pritshme të kontratës së tij edhe për dy vite të tjera me Federatën Shqiptare të Futbollit, që në terma sportive përkufizohet: drejt i Kombëtares shqiptare edhe për një fushatë kualifikuese të Kampionatit Botëror 2010, finalet e të cilit do të luhen në Afrikën e Jugut. Trajneri pranoi se kishte biseduar mbrëmjen e së hënës me presidentin Duka, por biseda kishte të bënte kryesisht me informacionet që i dha kroati ne lidhje me përgatitjet e ndeshjeve, vizionin dhe të ardhmen e Kombëtares shqiptare. Sipas Baricit, presidenti Duka është i kënaqur me punën e tij. Barici është i bindur se ai personalisht dhe stafi i tij teknik (kroati Kovacic dhe shqiptarët Duro e Strakosha) kanë bërë një punë të mirë që meriton vlerësime pozitive. "E kam thënë edhe më parë, se kam në dispozicion ekipin më të mirë shqiptar dhe se loja jonë është shumë herë më e mirë se e shtatë-tetë muajve më parë. Unë besoj se tashmë ne kemi dhe potenciale më të mira se një vit më parë, pasi askush nuk ka ditur se ekzistonte një Curri, një Kapllani apo një Vangjeli, apo dhe lojtarë të tjerë të rinj, për të cilët besoj se do të jenë me 90% e ardhmja e Shqipërisë. Nuk e di nëse kjo e ardhme do të ndërtohet me mua apo me një trajner tjetër pasi kjo varet nga presidenti (i FSHF-së, Duka). Por, unë dua të theksoj se e ardhmja ime nuk do të varet nga ndeshja me Holandën". "Nëse presidenti Duka do të ofronte më pak para në kontratën e re, a do të pranonte Baric rinovimin?", ishte një nga pyetjet e gazetarëve. Trajneri, që tashmë është 75-vjec dhe me kontratën e firmosur në qershorin e vitit të kaluar përfitoi 300 mijë euro. "Në bisedimet kontraktuale të dyja palët (FSHF-Baric) do të kenë cmimin e tyre për të blerë një shërbim. Edhe unë kam cmimin tim. Së pari unë duhet të dëgjoj propozimin e FSHF-së. Unë nuk besoj se një drejtuesi ndërmarrje t'i japësh me pak para kur puna ecën më mirë. Ai (Duka) mund të përpiqet të ofrojë më pak. Para dy muajsh unë kam thënë se tani kemi një situatë më të mirë se para dy një apo dy vjetësh". Barici pohoi se pas përfundimit të ndeshjes me Holandën (12 shtator) mund të realizohet edhe takimi me presidentin Duka për të nisur edhe bisedimet zyrtare për rinovimin e kontratës.