Bariç: “Maqedonia e sotme, si Shqipëria e para dy-tri viteve”

(Pjesa e dytë)Albania-sport.com: Në repartin e sulmit ka një konkurrencë shumë të ashpër: lojtarë me përvojë kundër futbollistëve shpërthyes në gola...
Otto Baric: Është e vërtetë. Në sulm janë disa nga lojtarët më të mirë të përfaqësueses. Përvec Hamdi Salihit të gjithë futbollistët e tjerë luajnë në kampionatet e huaja, ku janë stërvitur në kushte moderne, në konkurrencë të fortë me kolegët e tyre brenda ekipeve dhe në një infrastrukturë që ndryshon kryekëput nga ajo që ofron Shqipëria. Unë tashmë i njoh shumë mirë kapacitetet sportive të Debatik Currit, Edmond Kapllanit apo dhe Besart Berishës, që luajti për herë të parë me Kombëtaren nën urdhërat e mia. I kam vlerësuar për impenjimin e tyre në stërvitje dhe jam i bindur për atë që mund të prodhojnë në fushë dhe besoj se në ndeshjet e ardhshme ata do të jenë liderit e sulmit. Kjo është shumë e rëndësishme për plejadën e re të futbollit shqiptar. Bashkë me ta unë do të vlerësoja edhe Migen Memellin, pa harruar edhe Shpëtim Hasanin e FC Kalmar në Suedi. Ka shumë konkurrencë midis të gjithëve kur dihet se një 90 minutësh të kufizon shumë në përzgjedhje. Të gjithë kanë përparësitë e tyre dhe kjo e kompikon shumë situatën. Sulmuesit tradicionalë kanë përvojë të madhe ndërkombëtare, por nuk gëzojnë formë të mirë te klubet e tyre, ndërsa të rinjtë janë më të motivuar dhe mosaktivizimi i tyre më krijon jo pak shqetësime personale. Opinioni dhe media nuk vlerëson dashurinë time për njerin apo tjetrin por paraqitjen e mirë të një sulmuesi ashu si kundër formën e dobët të një dikujt tjetër.
Albania-sport.com: Një nga kërkesat urgjente është dhe ripërtëritja e Kombëtares. Sa po përgatitet Baric për këto ndryshime të mëdha?
Unë besoj se Shqipëria i ka qysh tani pesë apo gjashtë lojtarë të formacionit bazë që premtojnë për të ardhmen. Unë i kam të qartë idetë. Unë e kam parim që nuk investoj në lojtarë që nuk mund t'i përdor në të ardhmen e afërt. Unë dëshiroj lojtarë që do të japin maksimumin për një periudhë të gjatë kohore. Përvoja ime e fituar me Kroacinë është shëmbulli më i mirë. Shumë nga talentet më të spikatura kroate të viteve të fundit kanë qenë lojtarët e mi në Botërorin e Kore-Japoni 2002, futbollistë që më pas luajtën në kampionatet më të forta të Botës si me Celsin, Juventusin, Bajer Leverkuzen, Verder Bremen, apo diku tjetër. Lojtarë që për një periudhë të shkurtër ishin në majë të top-formë dhe fituan shumë para. Kroacia ishte dhe në Portugali, ku u përballëm me ekipe si Franca, Zvicra dhe Anglia, ku ne dolëm te tretët. Unë mendoj se shqiptarët nuk kanë durim të presin. Nëse unë do të fitoja me Slloveninë unë do të konsiderohesha si një trajner i mirë dhe në rast se do të humbas, do të vlerësohesha si një trajner i keq. Humbja me Rumaninë është me ekipin që ndodhet në 30-40 vendet e para në Botë. Rumania nuk është më e keqe se Kroacia. Në kompeticionet europiane të këtij edicionin ishin dhe janë 3-4 ekipe rumune, për më tepër lojtarë të tillë si Mutu dhe Chivu janë dy nga lojtarët më të në formë në Itali. Rumania megjithatë na mundi me një autogol (gabim i Dallkut në pasim) dhe një penallti (faull i Currit). Ne luajtëm jo keq kundër Holandës, e cila është prej 40 vjetësh një fuqi botërore ne futboll. Është si të krahasosh "Amsterdam Arena" me stadiumin "Qemal Stafa". Ndryshimi nuk ka nevojë për koment.
Albania-sport.com: Sa e rëndësishme është ndeshja miqësore me Maqedoninë, një ndër të paktat që FSHF ka mundur të sigurojë?
Otto Baric: Është shumë e rëndsësishme. Jo për rezultatin, megjithëse dhe atë e dëshiroj. Maqedonia ka një ekip të mirë dhe ndodhet në një pozicion të mirë në grupin e saj. Unë mendoj se Maqedonia është në atë nivel ku ishte Shqipëria dy-tre vjet më parë, kur Shqipëria kishte Muratin, Hasin, Taren, Haxhin, Strakoshën, por në një moshë më të re. Ata kanë lojtarë të rinj, por kanë një bazë të mirë. Unë jam shumë kurioz se si do të jenë të organizuar ata për t'i krahasuar me Shqipërinë.
(vijon...)