Bariç: “Mund të luajmë edhe me tre sulmues kundër Holandës”

Trajneri Oto Baric u ndje i kënaqur nga fitorja 8-0 në testin e kontrollit të Kombëtares që ai drejton me përfaqësuesen U-19. Pesë golat e shënuar në pjesën e parë: Bogdani (2), Kapllani (2) dhe Lala (1), si dhe tre golat e realizuar në të dytën Bushi (1), Duro (1, me penallti) e Salihi ishin të mjaftueshme për të kuptuar se kuqezinjtë e kishin marrë me seriozitet provën. Pas takimit Baric dha dhe përshtypjet e tij për paraqitjen e lojtarëve, por hodhi edhe një ide për të luajtur me tre mesfushorë dhe tre sulmues të mirëfilltë kundër Holandës, por me nje pyke te vetme dhe dy më të tërhequr.
Një ndeshje prej së cilës duhet të keni mbetur i kënaqur?
Ishte vërtet një test, por të gjithë lojtarët i pashë në një gjendje të mirë nga pikëpamja e kondicionit fizik. Shikoni, ishte e natyrshme që kundër këtij ekipi ne nuk përdorim të njëjtën taktikë, si atë që të paktën hë për hë kemi parashikuar të luajmë kundër Holandës, pasi përballë kishim një ekipi me djem të rinj. Ne dëshirojmë të ruajmë këtë linjë, por natyrisht kjo nuk ishte edhe disiplina taktike që do të kemi ndaj Holandës në një lojë të vërtetë, pasi kundër tyre duhet të luajmë 100 për qind të disiplinuar.
A mund të luajë Haxhi nga minuta e parë në pozicionin që luajti kundër U-19, duke pasur parasysh edhe skemën me një sulmues?
Para së gjithash do të doja ta kisha Haxhin plotësisht fit, pasi vjen nga një dëmtim, por unë jam shumë i kënaqur me mënyrën si ka luajtur Duro. Nëse gjithcka do të jetë në rregull, ne do të kemi një kombinacion me tre sulmues, por të renditur në skemën: 4-3-2-1.
Do të jeni i pranishëm në Holandë-Bullgari, ku do të krijoni edhe përshtypje direkt mbi kundërshtarin.
Po, unë do të shoh të shtunën Holandën në Amsterdam dhe do të krijoj bindjen e plotë për strategjinë që do të ndërtoj kundër tyre në ndeshjen në Tiranë. Unë jam i bindur se ne kemi sot një ekip më të mirë se ai që patëm në Holandë kur luajtëm kundër tyre. Atje nuk luajti Cana. Unë kam parë përparime të mëdha nga Vangjeli, kur në Holandë në pozicionin e tij ka luajtur Aliaj. Unë besoj se në do të japim shumë në Tiranë.
A mund të marrë Shqipëria më shumë se një barazim me Holandën?
Holanda është më e fortë se ne, por gjithcka ndodh.
Van Basteni pohoi gjatë një interviste për faqen zyrtare të federatës së tij, se do të ishte i kënaqur edhe me një barazim në Tiranë?
E ka thënë? Ndoshta e merr vesh, se dhe unë do të isha i kënaqur me barazimin.
Dash Frasheri