Bariç: “Sulmuesit do te shenojne”

Në gjashtë ndeshjet e fundit zyrtare, sulmuesit e Kombëtares nuk kanë shënuar asnjë gol. A do të shënojnë ata kundër Luksemburgut? Baric synon një Shqipërisë sulmuese, pavarësisht se kundër Luksemburgut do të ketë të paktën dy mungesa thelbësore: Bogdanin e dëmtuar dhe Kapllanin në rikuperim e sipër dhe në dyshim për të luajtur qoftë dhe një pjesë. "Unë besoj se sulmuesit tanë janë në gjendje të shënojnë gola". Në tre ndeshjet e fundit nuk duhet të harroni se ne kemi luajtur kundër kundërshtarëve të fortë. Kemi dalë dalëngadalë nga fizionomia mbrojtëse dhe në ndeshjen kundër Luksemburgut do të luajmë plotësisht në sulm. Gjatë kësaj jave stërvitore do të aplikojmë skema tërësisht sulmuese. Unë kam thirrur pesë sulmues. Nëse Bogdani nuk do të jetë në gjendje, atëherë janë dhe katër alternativa të tjera në sulm. Kapllani ka marrë pjesë aktivisht në stërvitje. Sulmuese të tjerë janë Bushi, Salihi, por të mos harrojmë dhe Xhafën, të cilin duhet ta përgatisim për ndeshjet e ardhshme, pavarësisht se është pak i vjetër në moshë, mund të luajë edhe tre-katër vite të tjera".
Trajneri është shprehur optimist jo vetëm për ndeshjen e Tiranës, por dhe për atë të kthimit në Luksemburg, më 6 qershor. "Jam i bindur se dhe në Luksemburg do të shënojnë. Këto ndeshje unë i shoh si paketë, pra synoj dy fitore. Por, kjo natyrisht nuk është e thjeshtë. Luksemburgu ka humbur në shtëpi 1-0 me Holandën në minutat e fundit, në të 83', edhe me Bjellorusinë humbën 2-1".