E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bariç “fotokopjon” Holandën, agresivë kundër Bullgarisë

Dash Frashëri
"Ndaj Bullgarisë do të jemi agresivë", - kjo është filozofia që po injekton trajneri Oto Baric te të besuarit e tij gjatë përgatitjeve për sfidën e dhjetë të tij në fushatën kualifikuese të Euro 2008. Barazimi i marrë në Slloveni ( i dyti 0-0 me skuadrën e trajnerit Matjazh Kek) ka sjellë një moment të mirë psikologjik te përfaqësuesja shqiptare që synon fitoren e tretë në grup, pas atyre me Luksemburgun dhe të parën me një ekip të vështirë e me histori në futbollin europian e botëror si Bullgaria. Kur Shqipëria u përball me Bullgarinë në Sofje, në drejtimin e kundërshtarëve të ditës së mërkurë ishte Hristo Stojckov. Trajneri i kuqezinjve Oto Baric udhëtoi nga Zagrebi drejt kryeqytetit bullgar në gjendje ende të papërmirësuar shëndetësore, por arriti të ndërtojë një ekip që mori pikën e dytë të cmuar në transfertë pas barazimit me Bjellorusinë. Pas barazimit befasues 0-0, aventura e Stojckovit me Bullgarinë përfundoi, ndërsa Barici rifitoi besimin e drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe dashurinë e sportdashësve shqiptarë. Bullgaria është një kundërshtar më i vështirë se Sllovenia (fitoi 3-0 me skuadrën e Kekut) dhe këtë e tregon jo vetëm diferenca me pikë kundrejt kombëtares sonë (18 Bullgaria, 10 Shqipëria), por edhe renditja në FIFA (e 35-ta ) dhe UEFA (e 23-ta ), kundrejt Shqipërisë e 78-ta në botë dhe e 36-ta në Europë. Ndryshe nga takimi në Celje ku Shqipëria u rreshtua në mbrojtje (me pesë të tillë, 5-4-1), ndaj formacionit bullgar të Dimitar Penev, tekniku Baric po projekton një formacion me theks ofensiv ashtu sic bëri edhe ndaj Holandës (4-4-2), ku nga fillimi pritet të jetë në fushë dyshja e munguar në Slloveni, Bogdani-Salihi. Baric do të ketë në dispozicion edhe Armen Dallkun e pezulluar kundër Sllovenisë, ndërsa është sqaruar edhe gjendja e kartonëve të verdhë për mbrojtësin Debatik Curri, i cili do të jetë kundër Bullgarisë, që vjen me një moral të rënë në Shqipëri dhe me probleme brenda grupit të lojtarëve. SHKURT SHQIPËRIA: Përfaqësuesja jonë pas analizës së mëngjesit përmes videos, dje zhvilloi një seancë stërvitore në "Tofik Jashari". Sot, trajneri i Kombëtares shqiptare, Oto Baric, do të japë konferencën e zakonshme për shtyp ku do të shpallë edhe 11-shin startues. KUNDËRSHTARI: Bullgaria do të vijë sot në mesditë në Tiranë dhe do të akomodohet në hotel "Sheraton". Trajneri Dimitar Penev do të japë një konferencë për shtyp pasi skuadra bullgare do të zhvillojë stërvitjen e vetme në stadiumin "Qemal Stafa". GJYQTARËT: Takimi Shqipëri-Bullgari do të gjykohet nga një treshe arbitrash austriakë me kryesor Fric Shtuhlik. Ndihmës të tij janë Zauner dhe Felinger. Shtuhlik ka drejtuar takimin Kazakistan-Shqipëri (0-1) e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2006.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›