E uron gruaja, shënon gol kundër Holandës

Rumania fitoi për herë të parë kundër Holandës me golin e Dorin Gojan në minutën e 71-të. Mbrojtësi i Steaua Bukureshtit, i cili i dha dhe kryesimin Rumanisë në Grupin G, tregon edhe një të fshehtë. "Është goli më i rëndësishëm në jetën time. Para ndeshjes, gruaja ime më tha shumë herë se do të shënoja kundër Holandës. Unë e falënderoj atë për mbështetjen e saj dhe tashmë nuk ndiej asnjë dhembje nga goditjet që mora gjatë ndeshjes, pasi jam thjesht i lumtur". Rumania nuk e kishte mundur kurrë më parë Holandën dhe dy humbjet e saj me rezultatin 2-0 me "tulipanët" gjatë kualifikueseve të Kupës së Botës 2006 ishin dhe dy të vetmet që pësoi trajner Viktor Piturka qysh kur mori ekipin kombëtar. "Qëllimi im është t'i përfundojmë këto kualifikuese pa humbje dhe nëse është e mundur si fituese grupi", - tha Piturka. Fitorja e pritshme e së mërkurës kundër Luksemburgut do ta conte Rumaninë në finalet e Europianit dy ndeshje përpara përfundimit të fushatës, duke shpresuar se Bullgaria e vendit të tretë do të humbiste pikë gjatë ndeshjes së saj kundër Shqipërisë. "Të gjithë thonë se ndeshja jonë me Luksemburgun do të jetë e lehtë, por unë nuk mendoj kështu. Luksemburgu fitoi në Bjellorusi të shtunën dhe neve na mungojnë disa lojtarë". Rumania do të luajë ndeshjen e fundit në grup me Shqipërinë (21 nëntor 2007), kur të parën e ka fituar në Tiranë me rezultatin 2-0, e ndihmuar nga gafa e ish-sulmuesit të Kombëtares sonë Bekim Kastrati dhe penalltia e shënuar nga Adrian Mutu.