E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berbatov ende shpreson

Kapiteni bullgar Dimitar Berbatov e pranon se kualifikimi për skuadrën e tij mund të jetë tashmë i humbur para ndeshjes me Shqipërinë në "Qemal Stafa". Fitorja 1:0 e Rumanisë përballë Holandës të shtunën i ka dërguar fqinjtë jugorë edhe një hap më larg kualifikimit të mundshëm për në finalet e "Euro 2008". Bullgaria ka udhëtuar në Tiranë me pesë pikë më pak se kryesuesit e Rumanisë dhe dy më pak se Holanda. Derisa me rumunët do të përballet më 17 nëntor në shtëpi, bullgarët nuk shohin shumë mundësi që rivalët e tyre të gabojnë në ndeshjet e mbetura.
Sulmuesi i Tottenham Hotspur, Berbatov mundohet që të mendojë pozitivisht. "Është e qartë se jemi të zhgënjyer me rezultatin në Konstanca, por Rumania ka luajtur shumë mirë në pjesën e dytë dhe fitoi. Ne kemi tri ndeshje për të luajtur dhe do të kërkojmë tri fitore. Jam optimist se mund të ketë befasi si ajo e së shtunës në Minsk, ku Luksemburgu fitoi 1:0 ndaj Bjellorusisë", ka thënë ai për "uefa.com".
Ndërrimet e tre trajnerëve (e filloi Stoichkov, më pas Stoilov e tani Penev) nuk i ka ndihmuar fare kombëtares bullgare, por Berbatov nuk e quan këtë një justifikim. "Sigurisht që të punosh me tre trajnerë në një fushatë eliminatore luan një rol porn ë fund të fundit ishte në dorën e lojtarëve. Ne duhet të bëjmë punën tonë në fushë. Do të ishte një mëkat të humbasim për herë të dytë kualifikimin në një turne të rëndësishëm, por edhe kjo është në tavolinë", ka shtuar Berbatov.
Ndërkohë trajneri Penev e konsideron pikërisht Shqipërinë shkaktare të problemeve të Bullgarisë në këto eliminatore. "E kam thënë disa herë. Arsyeja përse tani nuk e kemi fatin në duart tona është ndeshja me Shqipërinë në Sofje në fillim të vitit. Nëse do ta kishim fituar këtë ndeshje, do të ishte një tjetër histori. Tani duhet të fokusohemi në tri ndeshjet e radhës. Duhet fituar të gjitha", ka thënë Penev, i cili kishte drejtuar kombëtaren bullgare në vitin 1994 deri në gjysmëfinale të botërorit të zhvilluar në SHBA.
Bullgaria duhet të shpresojë që Holanda të lëshojë pikë në ndeshjet e mbetura ndaj Sllovenisë, Luksemburgut apo Bjellorusisë, gjë është e mundur të ndodhë vetëm në teori. "Derisa kemi ende gjasa teorike ne duhet të fitojmë të gjitha ndeshjet e mbetura. Ne shkojmë në Shqipëri me vetëm një qëllim – fitoren".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›