E Shtunë, 31 Tetor 2026

Salihi në sulm ndaj Bullgarisë

Më në fund duket se momenti i tij ka ardhur me të vërtetë. Hamdi Salihi do të luajë në sulmin e kombëtares shqiptare përbalë Bullgarisë nesër në "Qemal Stafa" përkrah të zakonshmit Erjon Bogdani. Duke parë problemet me të cilat përballet kombëtarja bullgare, Otto Baric ka nuhatur se mund të marrë edhe një fitore ndaj skuadrës së Dimitar Penev dhe do të zbresë në fushë një Shqipëri sulmuese, për ndryshim me atë që bëri në Celje të Sllovenisë ku kishte rreshtuar pesë futbollistë në mbrojtje. Një 4-4-2 përballë Bullgarisë jep më shumë shpresa për të gjetur rrugën e rrjetës, gjë që nuk ka ndodhur që prej ndeshjes me Luksemburgun. Ndërkohë përvec sulmit ndryshime do të ketë edhe në mbrojtje. Kthehet në formacion Armend Dallku që bashkë me Debatik Currin, Nevil Deden e Kristi Vangjelin do të përbëjnë katërshen e vijës së fundit, ndërsa në stol do të rikthehet Blerim Rrustemi, pavarësisht paraqitjes së mirë në Slloveni. Në mesfushë Evin Bulku gjithashtu rikthehet në stol pas paraqitjes zhgënjyese në Celje, ndërsa titullarë mendohet të jenë Skela, Lala, Duro dhe Haxhi apo Muka. Porta si zakonisht do të jetë detyrë e Arian Beqajt.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›