E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bariç, sot pret surprizën “Duka”

Sot do të zhvillohet një nga aktet e telenovelës së re "FSHF-Baric" në lidhje me kontratën e re të kroatit. Trajneri i Kombëtares, Oto Baric, do të jetë në Tiranë duke filluar nga ora 13:00 dhe do të ketë një ditë të tërë për të biseduar kokë më kokë me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, për të konsumuar me bosin e futbollit shqiptar ofertën e këtij të fundit. Mesazhi i parë zyrtar i dhënë nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së kishte të bënte me dhënien e lejes për fillimin e bisedimeve, por në të njëjtën ditë (të enjten e kaluar) një emisar i posacëm i Dukës udhëtoi drejt Ljubljanës për të biseduar "kokë më kokë" me sllovenin Srecko Katanec, trajnerin aktual të Maqedonisë dhe i përfolur si kandidat për bankinën e ardhshme kuqezi, në kuadër të fushatës kualifikuese të Botërorit 2010. Sipas asaj që është përfolur në shtyp, Baricin e pret një ofertë më e ulët financiare se ajo që merr aktualisht (300 mijë euro). Në 10 ndeshje zyrtare me Shqipërinë në kualifikueset e Euro 2008, Baric ka arritur 2 fitore (të dyja me Luksemburgun), 5 barazime dhe 3 humbje, duke qenë në vendin e katërt në Grupin G.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›