Pështyn Bogdanin, Kouto rrezikon

Bogdani, me një asist dhe një penallti të parealizuar nga Tavano në ndeshjen e humbur të Livornos kundër Parmës (3-2), ishte edhe lojtari më i mirë i skuadrës së Spinelit. Por media italiane ka nxjerrë në pah një moment shumë domethënës dhe aspak të denjë për një futbollist. Prova televizive jep pamjet e një grindjeje të lehtë midis futbollistit shqiptar dhe Morfeos së Parmës, ku ky i fundit i vendosi disa herë duart në fytyrën e Bogdanit, ndërkohë që lojtarët dialogojnë të nervozuar. Mes tyre ndërhyn Kouto i Parmës, i cili pështyn Bogdanin që ishte me shpinë në atë kohë. Me provën e qartë televizive, mbrojtësi i Parmës mund të ndëshkohet nga dy deri në tri ndeshje. Por dhe cuditë nuk mbarojnë në shtëpinë e Livornos. Presidenti i Livornos, Aldo Spineli, i cili pak ditë më parë kishte vendosur ngrirjen e rrogave të lojtarëve për mungesë rezultatesh, tani hedh në treg një provokacion të ri ndaj lojtarëve të tij. Të gjithë në dietë pasi janë dhjamosur shumë. "Amelia po përjeton një moment të keq, ndoshta ngaqë ka disa kile më shumë. Ka lojtarë që hanë shumë, do t'i vendosim në dietë".