E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bariçi dhe sinqeriteti për çështjen Igli Tare

Nga Dritan Lundra
Më në fund, pas një heshtjeje të gjatë dhe shumë hamendjeve, lexova edhe mendimin e trajnerit Oto Baric lidhur me mosgrumbullimin e kapitenit Tare. Një fjali e gjatë, me shumë kuptime, botuar dje në gazetën "Sporti shqiptar", por marrë një ditë para ndeshjes me Bullgarinë. Duke e cituar njëlloj sic është shkruar, mendoj se deklarata e Baricit ka shumë pikëpyetje brenda. Duke e marrë të mirëqenë po e citoj të plotë. "Unë kam biseduar me Taren dhe shpresoj se më ka kuptuar. I kam thënë qartë atij se unë nuk mund ta grumbulloj për ta mbajtur në stol. Nëse ai do të kish luajtur, kjo do të ishte një gjë tjetër. Kështu ai i zë vendin një djali të ri dhe kjo nuk është e ndershme. Pastaj, nuk duhet të harrojmë se kemi mjaft djem të rinj, të cilët kanë nevojë për të qenë pranë skuadrës kombëtare. Këta djem të rinj në ekipet e tyre kanë dëshmuar se ata mund të jenë pjesë e domosdoshme e Kombëtares". Janë vetëm 6 radhë dhe, ose Barici nuk është dhe nuk tregohet i sinqertë, ose ai ka një tjetër optikë të vlerësimit të ngjarjeve dhe fakteve, me të cilat është kontradiktor edhe vetë. Së pari, nëse vërtet Baric do të mendonte për rinovim apo do të mendonte për futbollistë të cilët janë dhe mund të jenë pjesë përbërëse e Kombëtares, atëherë duhet të mendonte në ndeshjet miqësore. Deri sot nuk kam parë dhe vështirë se do të mund të shoh ndonjë rinovim, apo emra të rinj në një përfaqësuese në ndeshje zyrtare, me përjashtim të rasteve kur ajo është e domosdoshme si pasojë e dëmtimeve apo skualifikimeve. Me këtë logjikë mund dhe duhet të vepronte edhe trajneri Baric. Nëse kundër Maqedonisë në miqësore Tare ishte kapiteni i Kombëtares duke luajtur në formacion, askush nuk arrin të kuptojë se si mund të përdoret kapiteni në një miqësore dhe papritur të sakrifikohet në një zyrtare. Faktet janë shumë kokëforte. Të rinjtë dhe ata që vërtet meritojnë të jenë pjesë e Kombëtares, ashtu sic e thekson Barici (nuk duhet të harrojmë, kemi mjaft djem të rinj dhe ata e meritojnë të jenë pranë Kombëtares), vërtet ekzistojnë, por në grumbullimin e parë në miqësore vetëm një emër ka spikatur, Jahmir Hyka. Të tjerët, të gjithë ata, po ata që jemi mësuar t'i shohim gjithmonë. Nëse Hyka vjen, Salihi nuk duket as në grumbullim. Vjen Memelli, por nuk luan asnjë sekondë. Nuk besoj se ka qenë prova e Tares, i cili luan një pjesë loje dhe më pas largohet. Pra kur rinovimi nuk bëhet në miqësore dhe Tare është pjesë përbërëse e Kombëtares (edhe në shkurt nuk luante me Lacion), nuk ka arsye që në mars trajneri i Kombëtares të kujtohet dhe të thotë që ai nuk luan dhe kjo është arsyeja që nuk grumbullohet me përfaqësuesen. Së dyti, më duket e pakuptimtë shprehja se "Taren nuk mund ta grumbulloj për ta mbajtur në stol". Është gjë tjetër nëse kapiteni nuk e ka pranuar një gjendje të tillë, por kur deri sot nuk kam dëgjuar ndonjë deklaratë të tij për këtë cështje, më duhet të besoj atë që Baric thotë se po qe për në stol, Tare më mirë të mos vijë. Se kush luan në fushë, këtë e di trajneri dhe vetëm trajneri, pasi ai bën zgjedhjet. Natyrisht, ai bën zgjedhjet edhe se kush grumbullohet, por vështirë se në mes të një cikli kapiteni hiqet nga formacioni e akoma më keq, nga grumbullimi. Nëse Oliver Kahn quhet legjendë e portës gjermane dhe vërtet i tillë është, nuk ka asnjë cudi që në Botëror pranoi stolin për t'i lënë vendin Lehman dhe më pas u largua nga Kombëtarja. Nëse keni harruar Del Pieron, i cili me Juven luante me pikatore, Marcelo Lipi jo vetëm që nuk e flaku, por i besoi dhe penallti në finale. Shembuj mund të merren shumë, por vështirë se gjendet ndonjë në inversin e atyre që kemi shkruar më lart. Pra shumë shkurt, të rinjtë janë të domosdoshëm në Kombëtare, por kapiteni, i cili ka më shumë se dhjetë vjet që militon me fanellën kuqezezë, është e vështirë të largohet thjesht me një shprehje shumë të dalë jashtë mode "të mos harrojmë që kemi mjaft djem të rinj që kanë nevojë për të qenë pranë Kombëtares" dhe në fund rezultojnë vetëm dy emra të tillë. Të tjerët po ata..., na falni, mungon emri i kapitenit. Së treti, besoj se të gjithë e kuptojnë se nuk kam ndër mend të atakoj apo sulmoj trajnerin e Kombëtares. Por më duken shumë kontradiktore shprehjet e tij dhe realiteti. Pas ndeshjes me Slloveninë do të deklaronte se nëse do t'i jepja kohën e mjaftueshme, Shqipëria mund të kalonte 30 radhë në renditjen FIFA. Natyrisht, këtu nuk flitet për një skuadër të së ardhmes, por thjesht një aritmetikë se ku mund dhe ku nuk mund të marr pikë e në këtë kontekst rinovimi mbetet në kuadrin e së ardhmes. Nga ana tjetër, kur largohet Tare, gjithcka justifikohet nën emrin e madh, atë të hapjes rrugë të rinjve. Së fundi, rrugë të mbarë mister Baric. Ndeshja me Bullgarinë, mënyra e lojës, guximi për të futur në formacion ata që ju mendoni se janë më në formë, por edhe kurajë për të sulmuar edhe atëherë kur të gjithë mezi numëronin sekondat, tregojnë se ju meritoni nofkën "Mister Maksimal", por kujdes, pak më shumë respekt për ata që kanë milituar dhe kanë mbajtur shiritin e kapitenit të Kombëtares.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›