E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ronaldinjo, 99.9 për qind kuqezi

Për të konfirmuar ardhjen e mundshme të Ronaldinjos me bluzën kuqezezë sezonin e ardhshëm është Ernesto Bornzeti, konsulent i shquar i merkatos, i cili kishte hyrë në kontakt me Milanin në janar, gjatë tratativave për blerjen e Ronaldos. "Nëse Barcelona vendos të shesë Ronaldinjon, me 99.9% ai vjen te Milani, pohoi Bronzeti, nuk më duket se ka alternativa të tjera dhe pastaj e dëshiron Berluskoni".
Milani është në "pole" për Ronaldinjon dhe kjo nuk përbën një risi, por duket shumë më e sigurt kur këtë e thotë Ernesto Bronzeti, specialist i merkatos dhe një njohës shumë i mirë i futbollit spanjoll dhe në vecanti i Realit dhe Barcelonës. Bronzeti është autori i transferimit të Ronaldos pranë Milanit dhe këtij njeriu kuqezinjtë i kanë besuar edhe "veshjen" me modën milaniste të Ronaldinjos. Presidenti Berluskoni nuk ka munguar asnjëherë të shprehë konsideratën e tij për djaloshin nga Porto Alegre. "Unë mendoj që simpatia e Ronaldinjos për Milanin është një fakt i kryer. Nëse Ronaldinjo do të largohet nga Barcelona, jam i sigurt që do të vijë te Milani, por më parë duhet ta lejojë Barcelona të largohet", - është shprehur Berluskoni për sitin italian tgcom.it. Milani në këtë lojë ka dhe mbështetjen e brazilianëve të tjerë, që militojnë prej vitesh si kuqezinj. Kaka dhe tashmë Ronaldo nuk mungojnë kurrë të thërrasin Ronaldinjon te klubi i trajnuar nga Karlo Anceloti.
Robert De Assis, vëllai i Ronaldinjos, është duke trajtuar me klubin katalanas një rritje page për yllin e Barcelonës. Sipas gazetës spanjole "AS", braziliani nuk ka shprehur ende dëshirën për rinovimin e kontratës që skadon, më 30 qershor 2010. Barcelona është impenjuar të investojë në mënyrë të qëndrueshme në pronat e familjes De Asis në Brazil dhe, nga ana tjetër, të ndihmojnë në fondacioni e themeluar nga Gaucho për të ndihmuar fëmijët brazilianë dhe skuadrën e të rinjve të Porto Alegre, qytetit të lindjes së Dinjos, në të cilën vëllai i tij, Roberto, është president.
Por dhe Barcelona është në kërkim të rekrutimeve të reja. Kështu mësohet se shefi sportiv i katalanasve, Begirishtajn, do të jetë sot në Itali për të ndjekur takimin Roma-Mancester Junaitid, të vlefshme për Ligën e Kampioneve. Objektivi i shefit sportiv të Barcelonës është ndjekja në aksion e tre lojtarëve të Romës: Daniele De Rosi, Kristian Civu dhe Filip Mekses. Civu dhe Mekses kanë dhe një vit kontratë, ndërsa De Rosi është i lidhur me Romën deri në vitin 2009.

Mesazhi i Del Pieros

Kapiteni i Juventusit, Alesandro Del Piero, paralajmëroi yllin e Barcelonës, Ronaldinjo, në lidhje me lëvizjen e pritshme të tij drejt Milanit. "Mesazhi im për Ronaldinjon? Nëse ai vendos të largohet nga Spanja për në drejtim të Italisë, do të ishte më mirë të vinte te Juve", - është shprehur Del Piero. "Ne jemi një ekip më i mirë se Milani". Drejtuesit e Juventusit po bëjnë c'është e mundur për të mbajtur portierin Xhixhi Bufon, edhe pse për të kanë treguar interes Milani, Interi dhe Barcelona.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›