E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bariu godet rëndë me sëpatë pronarin e stanit të bagëtive

Fier, 15 shkurt, NOA Një bari ka goditur me
sëpatë duke i shkaktuar një gjendje të rëndë shëndetësore pronarit të stanit të
bagëtive ku ai punonte. Lajmi konfirmohet nga burimet policore të Fierit, të
cilat pohojnë më pas se kanë mundësuar vënien në pranga të autorit të kësaj ngjarje
të rëndë. Sipas tyre, ajo ndodhi për motive banale në stanin e bagëtive, në pronësi të personit me
inicialet P.Sh, ndërsa autori i saj mësohet se quhet Bujar Kasa, 44-vjeç, lindur
në Berat dhe banues në Roskovec të Fierit, i dënuar edhe më parë për kryerjen e
veprave penale.

Arrestimi i këtij personi u bë për veprën
penale Vrasje e mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 76/22 i Kodit
Penal.

Ngjarja e ndodhur në vendin e quajtur
Parcelat e Sheqit,  u shoqërua me një
gjendje të rëndë shëndetësore të pronarit të stanit, i cili aktualisht ndodhet
nën kujdesin e mjekëve, në spitalin e Fierit.

Materialet proceduriale iu kaluan prokurorisë
së Fierit për veprime të mëtejshme.

n.e/NOA

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›