Gjykata e Lartë, seanca e dytë pajtuese për Mediun, Alketa Azizaj nuk e fal ministrin

Tiranë, 15 shkurt, NOA Në Gjykatën e Lartë
ka nisur sot gjyqi ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, për të
siguruar pajtimin mes tij dhe Alketa Azizajt, e cila është njëra prej të
dëmtuarve në tragjedinë e Gërdecit. Nëse kjo seancë dështon, atëherë Mediun e
pret një tjetër proces gjyqësor.
Por banorja e Gërdecit, Alketa Azizaj, e cila
e ka paditur ish-ministrin e Mbrojtjes nuk ka pranuar ta fal atë. Ky zhvillim i
procesin gjyqësor ka sjellë dhe shtyrjen e gjyqit.
Kolegji ka vendosur të shtyj gjykimin duke
bashkuar paditë që janë ndaj ministrit, Fatmir Mediu.
Ish-ministri Mediu vetë nuk është paraqitur në
këtë seancë por përfaqësohet nga dy avokatët e tij mbrojtës, Petrit Serjani dhe
Ardian Visha.
Kjo seancë pajtimore pason atë të datës 26
janar, ditë në të cilën i ati i 12-vjeçarit Roxhers Durda ka refuzuar ndjesën e
Mediut, duke kërkuar kështu që të përballet në Gjykatën e Lartë, organ i cili
pak muaj më parë pushoi dosjen penale ndaj tij.
Gjatë kësaj seance, Mediu u shpreh se ndjente
përgjegjësi morale për shpërthimin e 15 marsit, por ka refuzuar të ketë përgjegjësi
direkte për ngjarjen e rëndë.
n.e/NOA