E Diel, 1 Nëntor 2026

Bariu vret kolegun, tenton të mashtrojë policinë

 

TIRANE - Bariu vret kolegun pas grindjes në gjendje të dehur dhe denoncon në polici, duke pretenduar se viktima kishte vrarë veten. Ngjarja ka ndodhur në bregdetin e Kavajës, në një stan të fshatit Karpen të komunës së Syneit, ku Arjan Grami 35 vjeç, nga Ndroqi i Tiranës, ka vrarë me armë zjarri pistoletë bariun tjetër, nga Vlora, Kastriot Godole 26 vjeç. Krimi është kryer të martën në mbrëmje në stanin e fshatit Karpen, pranë ish-rezervatit të peshkut. Të dy barinjtë ishin të punësuar nga pronari i stanit për të ruajtur një tufë delesh. Policia është njoftuar të mërkurën në darkë, nga vetë autori i krimit. "Shoku im i punës ka vrarë veten", - mësohet të ketë pohuar për policinë 34-vjeçari nga Tirana. Pas mbërritjes së policisë në vendin e ngjarjes, ata kanë vënë re se viktima kishte së paku 6 plagë në trup, në kokë e në pjesë të tjera të organizmit. Fare pranë ndodhej edhe pistoleta e krimit, e cila është marrë nga policia bashkë me gëzhojat dhe disa predha të gjetura aty. Ato janë administruar prej hetuesve si prova materiale, ndërsa ekspertët kanë kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes. Këta të fundit nuk kanë lënë vend për dyshime se ngjarja ishte vrasje dhe jo vetëvrasje, siç kishte pretenduar Arjan Grami. Ai është shoqëruar në Komisariatin e Kavajës dhe gjatë marrjes në pyetje ka pranuar autorësinë e krimit. Bariu ka pohuar pas këmbënguljes së hetuesve, ka pranuar se kishte vrarë shokun e tij, pasi ai kishte rënë të flinte. Shkak, sipas tij, ishte bërë një grindje që ata kishin filluar në lokal kur kishin qenë në gjendje të dehur.               d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›