E Diel, 1 Nëntor 2026

“Prokuroria e Përgjithshme të hetojë vdekjet e minatorëve”

 

BULQIZE/ HASAN PASHA

Vdekja e minatorit Ivzi Veseli nuk është zbardhur ende nga Prokuroria e Bulqizës. Shefi i komisariatit, Mirash Loci tha dje se ende nuk kanë përfunduar hetimet nga prokuroria, policia e ISHMI, strukturë kjo për sigurinë në miniera.
Sipas Locit, ende nuk ka prova e fakte për të ndaluar persona konkretë në lidhje me vdekjen e minatorit Veseli. Ndërkohë burime të rezervuara nga grupi hetimor japin informacion që ngjan me deklaratat e para të drejtorisë së minierës, të cilët u shprehën se Veseli e realizoi vetë shpërthimin dhe se në momentin e aksidentit ka qenë vetëm në galeri. Prokuroria vazhdon të mbajë larg mediat, ndërkohë policia është e detyruar të presë urdhrin e saj. Megjithëse në miniera kanë lënë jetën 18 njerëz të pafajshëm, ende nuk ka asnjë person të ndaluar. Zakonisht policia, Prokuroria e Drejtoria e Minierës kanë bërë fajtorë viktimat ndërsa kolegët e tyre janë shprehur se mungesa e kushteve, gjendja e rëndë e punës, veprimet abuzive të disa njerëzve të lidhur ngushtë me drejtuesit e minierës, kontrabanda e kromit, etj., kanë ndikuar në aksidentet e shumta në minierë. Vdekja e fundit i ka bërë minatorët dhe këshillin sindikal të minatorëve të Bulqizës të shprehen se jo të gjitha viktimat në minierë kanë qenë aksidentale. Sipas tyre, ka dyshime të forta se ndonjëri nga minatorët është vrarë qëllimisht në galeri. Burime të sigurta informacioni sqarojnë se Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë nëpërmjet një letre dërguar Prokurores së Përgjithshme Ina Rama ka kërkuar zbardhjen e të vërtetës së vdekjeve të minatorëve. "Ne kemi dyshimet tona se ndonjëri nga minatorët është vrarë qëllimisht dhe grupi hetimor nuk ka zbardhur të vërtetën", thonë përfaqësues të këshillit sindikal të qarkut Dibër. Duke iu referuar rasteve të shumta të viktimave dhe mosndëshkimit të askujt, sindikalistët japin si rastin më të dyshimtë vdekjen e Njazi Alliut, ish-sekretarit të sindikatës së minatorëve të Bulqizës, i cili mbeti i vdekur në shkurt të këtij viti. Kolegë të tij thanë për gazetën "Panorama" se "Njazi ishte një sindikalist model. "Ai ngriti zërin dhe ishte në krye të protestave për zgjidhjen e kërkesave të minatorëve. Vdekja e tij është mjaft e dyshimtë. Zyrtarët e minierës dhe grupi hetimor thanë se ai ra në trimoshë. Nuk ka ndodhur kurrë që një minator të hidhet në trimoshë. Ne kemi dyshime të forta se Njaziun "dikush" e shtyu drejt humnerës", pohojnë ata. Duke iu referuar këtij rasti, minatorët e Bulqizës por dhe drejtuesit e sindikatës së tyre hedhin dyshime se jo të gjitha vdekjet e minatorëve janë zbardhur me vërtetësi nga Prokuroria e Dibrës. "Ne presim nga Prokuroria e Përgjithshme të rihapë hetimet për vdekjet e minatorëve. Vazhdojmë të mendojmë se është abuzuar gjatë hetimeve. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë që e vërteta të dalë në dritën e diellit", thanë përfaqësues të Konfederatës së Shqipërisë, pjesëmarrës në ceremoninë mortore të minatorit Ivzi Veseli.

Bulqizë, spitali pa ujë të ngrohtë

BULQIZE - Spitali i Bulqizë nuk plotëson as kushtet minimale për pacientet e tij. Vetëm nga galeritë e kromit dhe stoqet janë dërguar në morgun e këtij spitali 18 viktima, mirëpo asnjëra prej tyre nuk është përgatitur në kohën e duhur. Shkaku është mungesa e kaldajave për ngrohjen e ujit. Këtë e vuajnë dhe pacientët dhe personeli në këtë spital. Vdekja e minatorit Ivzi Veseli rinxori në skenë shqetësimin se mungesa e ujit të ngrohtë në morgun e spitalit bën që kufomat e viktimave të qëndrojnë për disa orë në morg. Minatorët e pranishëm pas vdekjes së minatorit të fondit folën me tone të forta se mungesa e një kaldaje për ngrohjen e ujit dhe mungesa e boteve të ujit ka bërë që spitali të jetë jashtë loje në këto raste tragjike. "Nga miniera jonë prodhohen mijëra ton krom dhe sigurohen të ardhura përrallore. Spitali nuk mund të jetë në këto kushte. Duhet ndërhyrë me investime", u shprehën kolegët e minatorit Veseli. Muaj më parë firma ruso-austriake, që ka marrë me koncesion minierën, i dhuroi spitalit lokal 20 mijë euro, për të përmirësuar kushtet në spital, por ende nuk janë zgjidhur kërkesat më elementare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›