Peshkopi, pranga noterit, lëshoi prokurë false
PESHKOPI - Ilir Krashi, noter në qytetin e Peshkopisë, është ndaluar nga policia lokale pas një urdhër-arresti të organit të akuzës. Burime zyrtare të policisë së rrethit Dibër kanë sqaruar mbrëmë se Krashi akuzohet se ka lëshuar një prokurë false për një banor të këtij qyteti, i cili ishte emigrant në Itali. Zyra e krimit ekonomik në drejtorinë rajonale të policisë prej ditësh kishte nisur hetimet për zbardhjen e këtij dokumenti të falsifikuar. Punonjësi i policisë së zonës ku banonte familja Elezi ka informuar drejtuesit e policisë lokale dhe rajonale se një dokument i falsifikuar kishte rënë në duart e tij dhe kërkohej të konfirmohej nga ai. Ka mjaftuar ky informacion i efektivit të policisë që drejtoria rajonale dhe komisariati i policisë të dorëzojnë në prokurorinë e rrethit certifikatën dhe dokumente të tjerë të noterizuar nga Ilir Krashi për llogari të shtetasit Blerim Elezi, lindur në Dibër dhe aktualisht emigrant jashtë vendit. Dokumentet e Elezit janë dërguar pranë noterit nga vëllai i tij, por policia nuk konfirmon nëse edhe ai do të merret nën përgjegjësi penale për plotësimin e dokumenteve false. Ndërsa pohohet se Krashi ka rënë viktimë e vëllait të emigrantit, për shkaqe hetimi nuk thuhet nëse ai hetohet dhe për dokumente të tjerë të falsifikuar për qëllime emigrimi apo çështje të tjera. h.p