Tentojnë ta varrosin të gjallë
Dashamir Biçaku
Një banor i zonës së Kombinatit në Tiranë ka rënë prej e një pengmarrje të rrallë pak ditë më parë në fshatin Arbanë, periferi e kryeqytetit. Personat që e rrëmbyen nga shtëpia e kanë transportuar pengun me makinë dhe në një zonë të Arbanës, kanë hapur një gropë 1 metër të thellë e dy metra të gjatë dhe kanë dashur ta groposin për së gjalli. Rrëmbyesit madje kanë arritur deri aty sa e kanë pyetur pengun për dëshirën e fundit para se ta vendosnin në gropë. "Çfarë dëshire mund të kem, ju po më vrisni", ka pohuar 27-vjeçari, Elvis Gurra, i marrë peng të mërkurën në mesditë. Ngjarja ndodhi pasi disa persona me uniforma policie arritën në banesën e tij në afërsi të fshatit Vaqarr. Rrëmbyesit e veshur me uniforma u kanë thënë familjarëve të pengut dhe vetë atij se duhej ta shoqëronin për një verifikim. Pasi e kanë futur në makinë, pengmarrësit kanë folur mes tyre në gjuhën gjermane që të mos kuptoheshin nga i rrëmbyeri. Elvis Gurra është transportuar me makinë deri në zonën ku ishte hapur gropa, dhe e kanë lidhur nga duart. Në këtë kohë dy nga pengmarrësit janë larguar për te makina për të marrë diçka, ndërsa kanë lënë një të tretë të pajisur me armë, që të ruante pengun. Elvis Gurra ka vepruar në këtë moment. Viktima është ngritur në gjunjë dhe më pas në këmbë dhe është larguar me vrap në drejtim të fshatit, ku është ndihmuar nga një banor i zonës. Personi që ishte ngarkuar të ruante pengun ka tentuar të qëllonte me armën kallashnikov që mbante në duar por ajo është bllokuar. Derisa ai ka arritur të zhbllokojë armën pengu është larguar ndërsa katër të shtënat në drejtim të tij nuk arritën të qëllonin në shenjë. Policia thotë se shkaku i kësaj ngjarje ende nuk është zbardhur, por dyshohet se historia ka nisur mesditën e të mërkurës, kur Elvis Gurra ka qenë në banesën e tij. Para portës së shtëpisë së tij ka ndaluar një automjet privat. Prej tij kanë zbritur katër persona, të gjithë të veshur me uniforma policie. Ata kanë trokitur në derën e shtëpisë së Elvis Gurrës. Të afërmve që kanë pritur "policët", në portën e shtëpisë, ata i janë prezantuar si punonjës policie dhe se kërkonin Elvisin. Sapo 27-vjeçari ka dalë për të mësuar çka ndodhur, ai është marrë me shpejtësi dhe është futur në autoveturën e parkuar përpara banesës. Sipas hetimeve, pengu ishte detyruar me kërcënime të futej në varrin e hapur anës lumit ndërsa pengmarrësit kishin hedhur disa lopata dheu. Mbulimi me dhe është ndërprerë, kur tre nga personat pengmarrës duhej të shkonin tek automjeti i tyre disa metra më tutje. Sipas burimeve të policisë, deri më tani është arritur të identifikohet dhe të arrestohet njëri nga rrëmbyesit, Aleksandër Akulli, 35 vjeç, që mendohet se ka qenë organizatori i ngjarjes. Ai besohet se ka pasur mosmarrëveshje me të rrëmbyerin por këto fakte janë duke u hetuar nga policia, e cila ende nuk ka një ide të qartë për këtë çështje ndërsa ka shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë pjesëmarrës në ngjarje.