Raporti i BE: Edi Rama probleme me lejet e ndërtimit,reagime në Kuvend
ADI SHKEMBI
Progres raporti i Komisionit Evropian vlerëson hapat e ndërmarrë nga qeveria për reduktimin e licencave dhe përmirësimin e shërbimit elektronike, por ashtu si një raport i Bankës Botërore pak kohë më parë, vë theksin te zgjatja e afateve për marrjen e lejeve të ndërtimit. Dokumenti thekson se "megjithatë mbetet shumë për të bërë për thjeshtëzime të tjera. Një problem shumë i rëndësishëm mbeten dhënia i lejeve të ndërtimit, të cilat treguan një ulje prej 40 për qind në 2007". Sipas raportit "infrastruktura për regjistrimin e bizneseve u përmirësua nga rritja e numrit të shërbimeve elektronike në qendrat e regjistrimeve në të gjithë vendin. Korniza e përmirësuar e shërbimeve bashkë me kontrollin rigoroz të autoriteteve solli mënyra për reduktimin e informalitetit shumë të përhapur në biznes. Procedurat e thjeshta lejuan një rritje të dukshme të numrit të bizneseve të reja që u regjistruan. Qeveria gjithashtu, vazhdoi me reformën rregullatore të licencave, duke thjeshtësuar procedurat e licencimit dhe duke reduktuar numrin e licencave".
Bregu
Duke folur dje në pjesën jashtë rendit të ditës në parlament, ministrja e Integrimit tha dje se: "Për të mos mbetur tek parimi heshtja është pranim, sajoni një mijë e një argumente kundër. Por meqë jam e sigurt se nuk keni lexuar asgjë, po ju them se një nga pikat ku s'ka progres por regres në këtë dokument i përket kryetarit të pallatit të ëndrrave". Sipas saj: "Nuk po them që ky është faji i opozitës, por është ama tipari identifikues i kryetarit të pallatit të ëndrrave. Në dallim nga ju, ne themi se koston e 40% më pak të lejeve të ndërtimit e mban Shqipëria dhe jo PS-ja. Pavarësisht se kryetari i pallatit të ëndrrave kujton se PS-ja është vetë ai dhe se i takon të jetë e tij edhe kur s'ka kontribut në të, me të njëjtën logjikë që përdor me 15% që kërkon tek çdo leje që lëshon. Pretendon një gjë që s'është e tij". Duke bërë një krahasim të progres raportit të vitit 2004 me atë të këtij viti përsa i përket korrupsionit, ministrja e Integrimit, theksoi se katër vjet më parë theksohej, se korrupsioni ishte i rrënjosur thellësisht, ndërsa këtë vit perceptimi i korrupsionit është përmirësuar. Në fund, Bregu theksoi se: "Unë nuk e vë në dyshim të nderuar zotërinj, të këtij krahu, se vizionin edhe ju e keni të mirë, por dallimin mes jush dhe nesh e bëjnë instrumentet e përdorur. Jam e bindur që identiteti juaj politik, nuk mund të jetë kundër një identiteti europianist, ku rregulli më minimal që duhet respektuar është: e vërteta nuk flaket. Thjesht duhet pranuar".
Balla: BE, përgjigje për mocionin e PS
"Dokumenti i BE ishte përgjigjja e shumë pyetjeve të cilave kryeministri, Sali Berisha iu shmang gjatë mocionit me debat të kërkuar nga opozita në seancën plenare të së hënës të kaluar. Si mund të krenohet qeveria për këtë progres-raport, ku aty nuk kishte progres. Raporti bën kritika për Parlamentin, për punën e qeverisë. Pjesa më e errët në raport është pikërisht korrupsioni. Shqipëria mbetet ende një lavatriçe korrupsioni.
Meksi: Korrupsioni, i rrezikshëm
Ambasadori i KE, Lohan e tha qartë, e tha saktë që reformat janë plotësuar si gota e mbushur përgjysmë. Nuk shoh këtu çfarë s'kemi kuptuar ne nga raporti. Korrupsioni mbetet një fenomen i rrezikshëm, serioz dhe i shpërndarë në Shqipëri. Në 13 ministri nuk janë standardizuar njësitë e integrimit, madje nuk është mbledhur as komisioni i Integrimit Evropian, duke i kthyer këto struktura në inekzistente. Duhet miratuar ligji i financimit të partive.