E Diel, 1 Nëntor 2026

Apeli i krimeve të Rënda: 53 vjet burg pengmarrësve të Irfan Idrizit

 

TIRANE - Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda dha dje 53 vjet burg për 6 të akuzuarit për rrëmbimin e myftiut të Gostivarit Irfan Idrizi, ndërsa shpalli të pafajshëm një prej tyre. Pasi shqyrtoi provat dhe pretendimet e paraqitura nga të dyja palët, si të mbrojtjes dhe të akuzës gjatë këtij procesi, gjykata mori vendimin për masën e dënimit të të pandehurve. Sipas vendimit u shpall fajtor dhe u dënua me 12 vjet heqje lirie Masar Meli, ish-oficer i policisë gjyqësore në Kukës, me 11 vjet burg Shkëlqim Palushi, si edhe me nga 10 vjet burg Korab Meli dhe vëllezërit Beqir e Basri Shahu. Ndërsa u shpall pafajësi për Nagip Mysliun, kushëririn e imamit. Vendimi i marrë dje nga pesëshja gjykuese e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së para për të pandehurit Korab Meli dhe Nagip Mysliu. Në pretencën e saj prokuroria pati kërkuar dënime që varionin nga 11 deri në 15 vjet burg për të pandehurit. Në seancën e djeshme, ndërsa kryesuesi i seancës ka lexuar vendimin, në kafazin e sallës ndodheshin vetëm dy vëllezërit Shahu dhe Korab Meli. Ata e kanë pritur me qetësi vendimin pa dhënë ndonjë reagim të dukshëm. Vendimi i Gjykatës së Faktit në fillim të muajit mars të këtij viti, që u apelua më pas nga të pandehurit, jepte 62 vjet burg për ta dhe pafajësi për Mysliun. Ngjarja, për të cilën akuzohen të dënuarit e djeshëm, ka ndodhur 6 vite më parë. Irfan Idrizi, imam në xhaminë e Gostivarit, u zhduk në mënyrë misterioze më 3 dhjetor të vitit 2002 në fshatin Forinë të Gostivarit në Maqedoni. Sipas prokurorisë, ai u rrëmbye për qëllime përfitimi pasi pak ditë më vonë, me anë të një telefonate, familjes së tij i është kërkuar shuma prej 500 mijë eurosh në këmbim të lirimit. Edhe pse shuma u pagua prej familjes, imami nuk u la i lirë. Pagesat e gjobave, që më pas kapën shifrën e 1 milionë eurove u realizuan nga Mezim Bexheti dhe Agim Bilali, dy të njohur të familjes Idrizi. Fillimisht me shqyrtimin e kësaj dosjeje u mor Prokuroria e Shkodrës, por më pas për shkak të rëndësisë, ajo kaloi për llogari të Prokurorisë të Krimeve të Rënda.         ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›