E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i 51 mijë fishekëve, si u sigurua makina e ushtrisë

 
Prokuroria e Krimeve të Rënda dorëzon në gjykatë dosjen kundër ushtarakëve që tentuan të trafikonin fishekët në Kosovë
 
 
TIRANË- Tentativa e trafikimit të 51 mijë fishekëve në drejtim të Kosovës pritet të gjykohet shumë shpejt nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Sipas kërkesës për gjykim, i pandehuri Medi Hasani gjatë bisedave së kryera me magazinierin e Repartit Ushtarak në Mbreshtan të Beratit, Gramoz Bendo i kërkonte këtij të fundit gjetjen dhe më pas shitjen e një sasi të madhe municionesh. Këto biseda, të cilat janë përgjuar nga prokuroria kanë vazhduar me premtimin e magazinierit se do t'i gjente fishekët e më pas do ta lajmëronte. "Për të siguruar fishekët, shoferi Medi Hasani ka kërkuar ndihmën dhe bashkëpunimin e dy kolegëve të tij, Arif Matës me gradën "Major" dhe Pajtim Lamajt, me detyrë shofer. "Kur Bendo lajmëroi Hasanin se ishin siguruar 51 mijë fishekët dhe se ishin fshehur në guroren që ndodhet në qytezën e "Urës Vajgurore" me roje Nasi Strorin, shoferi Hasani në bashkëpunim me majorin Mata, mashtruan Komandën duke marrë prej saj një autorizim për automjetin tip kamion me targa "U1166", e cila drejtohej nga kolegu Pajtim Lamaj dhe u nisën për të marrë fishekët e porositur",-thotë grupi i prokurorëve, duke sqaruar kështu momentin e trafikimit me makinën e ushtrisë.
***
Prokuroria, e njoftuar për këto lëvizje të të pandehurve ka urdhëruar policinë që të bëjë ndjekjen e tyre. Mësohet se gjatë vëzhgimit të tyre u konstatua shit-blerja e fishekëve dhe të pandehurit ngarkuan me ndihmën e Nasi Strorit 90 pako metalike në kamion dhe mbi to hodhën disa gurë për t'i mbuluar. "Pas këtij kamuflimi, kamioni i drejtuar nga katër të pandehurit së bashku me ngarkesën prej 51 mijë fishekësh, u nis në drejtim të Tiranës dhe pikërisht në vendin e quajtur fshat Fier – Shegan në aksin rrugor Berat-Lushnje aty rreth orës 16:30 të datës 20 mars të këtij viti, policia ndërhyri duke i arrestuar të katër të pandehurit",-thuhet në kërkesë. Pas arrestimit, prokuroria urdhëroi kontrollin në banesat e tyre dhe në shtëpinë e Medi Hasanit u gjetën dhe sekuestruan 60 kuti kartoni me municion luftarak me nga 30 copë fishekë, 20 fishekë kal.7.62 dhe dy tambura mitralozi të cilat mbaheshin pa leje.
***
Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi fazën hetimore ndaj katër ushtarakëve dhe një banori nga "Ura Vajgurore", mbi të cilët rëndon akuza e kryerjes së veprës penale të "shpërdorimit, shkatërrimit ose dëmtimit të pronës ushtarake"; "trafikut të municioneve luftarake" dhe akuzën e "mbajtjes pa leje të municioneve luftarake". Kështu, prokurori i çështjes me ndihmën e oficerëve të këtij institucioni, pas hetimeve 9 mujore zbardhi rrjetin e trafikut të fishekëve dhe dërgoi dosjen penale për t'iu nënshtruar gjykimit pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda. "Prokuroria e Krimeve të Rënda, me datë 22 mars të këtij viti ka regjistruar procedimin penal, nga i cili janë arrestuar po atë ditë të pandehurit: Medi Hasani e Pajtim Lamaj (me detyrë shoferë pranë Repartit Ushtarak Pezë Helmes në Tiranë); Arif Mata (me detyrë oficer, me gradën "Major" pranë Repartit Ushtarak Pezë Helmes) dhe ushtaraku Gramoz Bendo (me detyrë magazinier pranë Repartit Ushtarak në Mbreshtan të Beratit). Katër ushtarakët e lartë u arrestuan në flagrancë dhe në momentin e arrestimit atyre iu gjetën dhe sekuestruan në kamionin e ushtrisë me të cilin po i transportonin 51 mijë copë fishekë luftarakë të paketuara në 90 pako metalike. Sipas hetimeve, të gjithë këta fishekë po grumbulloheshin në shtëpinë e shoferit Medi Hasani, për t'iu shitur më pas një shtetasi kosovar, hetimet për identifikimin e të cilit po vazhdojnë.
FISHEKËT
Dëshmia e Hasanit: Si u  lidha me blerësin kosovar
TIRANË- Medi Hasani ka rrëfyer për prokurorinë sesi kishte rënë në kontakt me një blerës fishekës nga Kosova, ç'ka edhe e nxiti atë të mblidhte 51 mijë fishekë, pronë e shtetit. "Gjashtë muaj më parë, kur po kthehesha nga Laçi, u ndala në Milot se pashë një makinë që kishte një letër të ngjitur, ku shkruhej: 'SHITET". U ndala për ta pyetur, pasi doja të bleja një makinë të llojit të tillë. Makina ishte me targa të Kosovës dhe e pyeta pronarin, i cili më tha çmimin pasi u ulëm në një kafe në Milot. Isha i veshur me uniformë ushtarake të punës dhe ai më pyeti ku punoja. I tregova që punoj në ushtri si shofer në një repart në Tiranë. Gjatë bisedës ai më kërkoi që t'i gjeja ca fishek model 56, të kalibrit 7.62 mm pasi gjendja në Kosovë ishte përkeqësuar. I thashë se në Shqipëri mund të gjejmë se ka plot që janë vjedhur nga depot gjatë vitit 1997 dhe do të interesohem. Ai disa herë pas këtij takimi më ka kërkuar në telefon dhe sa herë që ka ardhur në Shqipëri, më kërkonte t'ia gjeja ata fishekë. Unë për patriotizëm fillova duke kërkuar nga kolegët dhe nëpër fshatrat ku shkoja. Gjatë kësaj kohe kam mundur të grumbulloj rreth 57-mijë fishekë. Atë ditë, me 20 mars unë i kisha marrë fishekët dhe po i vendosja në shtëpi që kur të vinte kosovari t'i merrte, porpolicia më arrestoi duke më akuzuar për trafik. Unë nuk kam bërë trafik por i kam ndihmuar bashkëkombasit e mi",-ka thënë para prokurorisë Medi Hasani.
TË PANDEHURIT DHE AKUZAT:
Medi Sabri Hasani, vjeç 40, lindur në Peshkopi e banues në Tiranë, me detyrë shofer (nënoficer) në Brigadën4460 në Pezë Helmës, Tiranë. Akuzohet për : "trafikim të armëve dhe municioneve" dhe "prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake"
Gramoz Faik Bendo, vjeç 33, lindur e banues në Palikesht të Beratit, me profesion magazinier armatimi në Repartin Ushtarak Nr.4453, Berat. Akuzohet për: "trafikim të armëve dhe municioneve" dhe "shpërdorim, shkatërrim ose dëmtim të pronës ushtarke"
Arif Ajet Mata, vjeç 39, lindur në Kukës e banues në Tiranë, me detyrë oficer pranë Shtabit të Brigadës 4460 në Pezë Helmës, Tiranë, me gradën Major. Akuzohet për: "trafikim të armëve dhe municioneve";
Pajtim Refi Lama, vjeç 24, lindur e banues në Shkodër, me detyrë shofernë Brigadën 4460 në Pezë Helmës, Tiranë. Akuzohet për: "trafikim të armëve dhe municioneve";
Nasi Aleks Strori 47 vjecc, lindur dhe banues në fshatin Konishal rrethit Beratit. Me detyrë roje në guroren që ndodhet në qytezën e "Urës Vajgurore". Akuzohet për: "prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake" dhe "Moskallëzim të krimit"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›