E Diel, 1 Nëntor 2026

Barka 4 orë në prokurori, fajin ia delegon vartësve

 

BERAT/ DILAVER XHELILI

Në cilësinë e dëshmitarit, ish-ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Kosta Barka, dha dje për katër orë shpjegime në Prokurorinë e Beratit, në lidhje me fondet e fëmijëve të ngujuar në Poliçan. Bëhet fjalë për fondet e akorduara nga dikasteri i drejtuar nga Barka në periudhën janar-mars 2007. Burime nga Prokuroria e Beratit pohuan se Barka dha shpjegimet e tij në lidhje me abuzimet e kryera, duke ia deleguar përgjegjësinë e këtij skandali drejtorive të dikasterit të drejtuar prej tij, por edhe drejtuesve të shoqatës. "Ministri është person politik. Janë drejtorët e drejtorive brenda ministrisë, të cilët merren me verifikimin e dokumentacionit, ligjshmërinë dhe destinacionin e fondeve". Kështu mësohet se është shprehur ai para prokurorëve që po merren me hetimin e kësaj çështjeje. Sipas burimeve, Barka gjatë deponimit 4 orësh ka ngar-kuar me përgjegjësi ligjore ish- vartësit e tij në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale. "Ata duhet të përgjigjen para ligjit se ku ka shkuar pjesa e fondit të dhënë nga buxheti shtetit", ka vijuar më tej ish-ministri për skandalin e fondeve të qendrës së fëmijëve të ngujuar, i regjistruar në periudhën kur ai ishte në krye të ministrisë. Kryeprokurori i Beratit, Xhemal Saliaj u shpreh se me deklarimet e ish-ministrit Barka, finalizohet dhe mbyllja e hetimeve. Më pas do të ndahen edhe përgjegjësitë penale. Sipas tij, pas deklarimit të Barkës, do të ballafaqohen zbatueshmëritë ligjore të detyrave si dhe provat e administruara tashmë në dosjen voluminoze të prokurorisë. Mësohet se deklarimi i ish-ministrit është fokusuar edhe në mënyrën e dhënies së fondeve dhe kontrollit të tyre, duke qenë se ato ishin pjesë e buxhetit të pushtetit qendror. Sipas krye-prokurorit Saliaj, në bazë të hetimeve, për-gjegjësitë do të ndahen që nga ministria deri në bazë. Skandali i fondeve nisi kur u evidentua se fëmijët e ngujuar vuanin nga uria, ndërsa ushqimet e tyre merreshin me listë. Ish-ministri u paraqit në prokurori pasi kjo e fundit firmosi shoqërimin e tij forcërisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›