Korçë, polici i dehur plumba 13-vjeçarit
KORÇE - Polici i dehur qëllon me pistoletë një 13-vjeçar, por fatmirësisht plumbat nuk e prekën në trup të miturin. Ngjarja ndodhi të shtunën e kaluar në fshatin Pulahë të Korçës. Rreth orës 18:00, efektivi i burgut të Korçës Mirton Yzeiri, terrorizoi fëmijët e fshatit, por ndërkohë objektiv i tij ishte njëri prej tyre. Yzeiri pasi ishte kthyer nga puna, ka pirë raki në lokalin e fshatit të tij. Pasi doli në gjendje të dehur, ai nxori pistoletën dhe filloi të qëllonte drejt fëmijës E.Q., ndërsa ai po luante me shokët e tij. Fëmijët e terrorizuar kanë nisur të bërtasin, ndërsa i dehuri ka qëlluar disa herë, derisa iu mbaruan plumbat që kishte arma. Mirton Yzeiri kishte pak kohë që kishte filluar punë në burgun e Drenovës. Kur doli nga lokali ai ka parë djalin e fqinjit të tij që po luante me shokët. Duke qenë se me komshiun e tij ai prej vitesh nuk kishte marrëdhënie të mira, menjëherë i ka drejtuar armën fëmijës. Ai ka qëlluar drejt tij në një largësi jo më shumë se 7-8 metra. Por si i dehur që ishte dora i dridhej dhe për fatin e mirë të 13-vjeçarit asnjëherë nuk mundi ta qëllonte. Babai i të miturit, i cili është emigrant në Greqi, ditën e ngjarjes është ndodhur në shtëpi. Ymer Qelemeni rrëfeu ngjarjen ndërsa tashmë ka depozituar kallëzim edhe në polici. Kjo e fundit sekuestroi në cilësinë e provës gëzhojat dhe çështjen ia kaloi prokurorisë. Ndërsa efektivi i burgut hetohet në gjendje të lirë, Qelemeni bën thirrje për drejtësi. Sipas tij, që nga dita e ngjarjes, djali ka frikë të dalë jashtë dhe nuk ka pranuar të shkojë as në shkollë. Ymer Qelemeni duhet të rikthehet në vendin e tij të punës në Greqi, ndërsa pohon se familja e tij nuk është e sigurt me autorin e lirë. j.gj