E Diel, 1 Nëntor 2026

Barka: Nuk jam nën hetim, se nuk kam administruar fonde

Kosta Barka thotë se nuk është përfshirë në hetimet në lidhje me skandalin e Qendrës për Fëmijët e Ngujuar në Poliçan. Ish-ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, i cili aktualisht mban postin e zëvendëskryeregjistruesit të republikës, ka shpërndarë dje një njoftim për mediat, ku sqaron pozicionin e tij në këtë çështje. "Disa gazeta kanë shkruar dy ditë më parë se Kosta Barka është nën hetim nga ana e prokurorisë për abuzime me disa fonde që lidhen me një shoqatë për kujdesin e fëmijëve të ngujuar. Unë dua të sqaroj fillimisht se Kosta Barka nuk ka qenë dhe nuk është nën hetim për asnjë çështje që mund të lidhet me shpërdorimin e detyrës. Person nën hetim do të thotë që prokuroria ka ngritur një akuzë dhe ka komunikuar këtë akuzë. Them me bindje se mua nuk më është ngritur dhe komunikuar asnjë akuzë e asnjë lloji, dhe këtë e ka konfirmuar në shtyp edhe vetë prokurori i Beratit", thotë Barka. Sipas tij, publikimi me bujë nga gazetat i gjoja "skandalit" me këto fonde është i nxitur dhe i stisur nga individë apo grupe që kërkojnë të denigrojnë personalitetin e tij. "Përpjekje të tilla, që kërkojnë që çështje lokale, të cilat kanë të bëjnë me marrëdhënien e pushtetit vendor me OJF-të, të shndërrohen në çështje që të më implikojnë mua, janë primitive dhe joeficente. Personat që kanë fabrikuar një thashethem të tillë të ulët, duhet ta dinë se Kosta Barka mban përgjegjësi për çdo veprim që ka kryer dhe është krejtësisht transparent përkundrejt institucionit të akuzës dhe qytetarëve shqiptarë", thotë ish-ministri i PBDNJ-së. Më tej, në deklaratën e tij, Barka sqaron rolin që ka sipas ligjit ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale në marrëdhënie me organizatat jofitimprurëse dhe pushtetin vendor. "Në të gjitha rastet, ministria në zbatim të bazës ligjore, ka propozuar pranë Ministrisë së Financave, e cila ka miratuar financimin e Bashkisë së Poliçanit, për t‘u ofruar shërbimet e nevojshme fëmijëve të ngujuar. Midis OJF-ve respektive dhe Bashkisë Poliçan ka pasur aktmarrëveshje dypalëshe, të cilat sanksiononin detyrimet dhe të drejtat respektive. Asnjëherë dhe në asnjë rast MPCSSHB nuk ka financuar individë, OJF apo ofrues privatë shërbimesh. Administrimi i fondeve dhe mënyra e shpërndarjes është një përgjegjësi e institucioneve të mësipërme", sqaron Barka, i cili shton se

MPCSSHB ka ushtruar kontrolle periodike nëpërmjet strukturave përkatëse, për të parë plotësimin e standardeve dhe mënyrën e administrimit të fondeve


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›