E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjana: Plani im për zhvillimin e ullirit

Deklarata e Kryeministrit Berisha se po planifikohen të mbillen rreth 20 milionë rrënjë ullinj duket se do të bëhet realitet. Ministria e Bujqësisë ka nxituar ta fusë në strategjinë afatmesme zhvillimin e sektorit të ullirit, madje ka gjetur edhe fondet për ta bërë të mundur idenë e Kryeministrit. Ministri Jemin Gjana prezantoi dje strategjinë e mbjelljes të 20 milionë rrënjëve ullinj në 4 vitet e ardhshme, duke synuar rritjen e eksportit të nënprodukteve të bimës. Me vendimin e qeverisë të 21 janarit 2008 janë vënë në dispozicion 150 mijë dollarë, dhe me një tender të hapur do të përzgjidhet subjekti që do të kryejë studimin e plotë për të kapur objektivin e mbjelljes së 20 milionë rrënjëve ullinj, i cili do të shtrihet së paku në krijimin e 50 mijë ha ullishte të reja. Ky studim do të përcaktojë ngritjen e dy impianteve, një në Vlorë e një në Tiranë për prodhimin e materialit bazë, që do të shërbejë për fidanë të varieteteve vendase. Studimi do të përcaktojë rajonet për ullishtat tradicionale me 200-250 rrënjë për ha, ullishtat intensive me 400-500 rrënjë për ha etj. Studimi do të përfundojë brenda qershorit 2009 me qëllim që në programin buxhetor të 2010 dhe buxhetin afatmesëm të programit tjetër qeveria të mbështesë fermerët. Hapi i parë për zhvillimin e sektorit është dhënë me vendimin për akordimin 1 mijë ha tokë të lirë në Kavajë për të mbjellë ullinj. Në tri vitet e fundit janë mbjellë mbi 3.5 milionë pemë të reja frutore dhe mbi një milionë rrënjë ullinj. Vetëm në 2008 me mbështetje të fondeve buxhetore janë mbjellë 706 ha ullishte të reja, prej të cilave 121 ha në Berat, 123 ha në Elbasan, 125 ha në Fier, 111 ha në Vlorë, 61 ha në Tiranë etj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›