E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Buxheti u miratua, do të fillojmë nga puna

Buxheti bashkiak 2009 i Tiranës është miratuar, por për të do të votohet sërish. Kaosi i fundmbledhjes maratonë të dy ditëve më parë të këshillit bashkiak kryeqytetas nuk është qartësuar aspak edhe nga deklaratat e djeshme. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i ka mëshuar fort idesë se votimi i parë për miratimin në parim të buxhetit 2009 mori 29 vota pro dhe pikërisht për këtë arsye ai do të fillojë të bëhet faktik për qytetarët. Ndërsa e ka mbështetur arsyetimin e tij edhe në dokumentime filmike të këtij votimi. Nga ana tjetër, kryetari i këshillit bashkiak, përfaqësues i LSI-së, Sokol Dervishaj, e ka konsideruar nul këtë votim, duke dhënë edhe argumentet e vendimit të tij.

"29 kartonët pro buxhetit të Bashkisë së Tiranës e kanë mbyllur këtë çështje", deklaroi kryebashkiaku i kryeqytetit, Edi Rama. Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të shohin pamjet filmike. "Ndjesë dhe mirënjohje për ju gazetarët dhe kameramanët e të gjitha mediave, që i dhatë mundësi publikut të ndjekë nga afër ballafaqimin e akuzave me argumentet e shpifjeve, me faktet e fyerjeve me shifrat, por edhe që fiksuat dëshminë e 29 votave pro, të cilat i dhanë Tiranës buxhetin e mohuar padrejtësisht prej muajsh. Ky nuk është buxheti im, dhe as buxheti i 29 këshilltarëve që e votuan pro. Ky është buxheti i atyre qindra e mijëra njerëzve që na kanë votuar", theksoi numri një i Bashkisë së Tiranës. Ai ka kërkuar më pas që LSI të tërhiqet nga kontestimi i buxhetit. Kjo, pasi të gjithë qytetarët shqiptarë kanë parë sesi u miratua buxheti me 29 vota pro. Diametralisht i kundërt ka qenë edhe reagimi i kryetarit të këshillit bashkiak, Sokol Dervishaj. Sipas tij, numërimi me zë të lartë që kryetari i bashkisë, Edi Rama, u bëri votave të këshilltarëve bashkiakë, është shkelja e procedurave që zhvlerëson të gjithë votimin e fundit për projektbuxhetin. Dervishaj thekson se jo të gjithë këshilltarët kanë ushtruar të drejtën legjitime të votimit. "Votimi i djeshëm, e përsëris edhe njëherë, bëhet nul. Ka ndodhur një anomali e pazakontë në mbledhjet e këshillit, sepse nuk janë respektuar procedurat dhe rregullorja e këshillit", shprehet Dervishaj. Ai ka përmendur edhe detyrat e sekretarisë, procedura, që sipas tij nuk janë zbatuar. Këshillin Bashkiak të Tiranës e ka përshëndetur për miratimin e buxhetit edhe Skënder Gjinushi, kryetar i PSD-së. Ai tha se "dështoi skenari politik PD-LSI për bllokimin e qeverisjes vendore". Ndërsa, Petrit Vasili, Sekretar i Përgjithshëm i LSI-së, tha se "është i njohur ky lloj numërimi që Rama kreu në stilin alla Arturo Ui". Në mbledhjen e dy ditëve më parë buxheti mori votat pro të 21 këshilltarëve të PS-së dhe të 7 anëtarëve të tjerë përfshirë edhe nga spektri i djathtë si LZHK, PDR dhe PAD.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›