E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vijnë kompjuterat, mungon interneti

Kanë mbërritur në Fier laboratorët elektronik për pothuaj të gjitha shkollat e rrethit. Sipas drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Arsimit, Tahir Kastrati, kanë ardhur 111 laboratorë, me të cilët do të furnizohen pothuaj të gjitha shkollat e rrethit, si ato të sistemit 9-vjeçar dhe ato të mesëm. "Këto do të përdoren për procesin mësimor të lëndëve shkencore si: gjatë orëve të matematikës, fizikës dhe kimisë. Është premtuar që kontigjenti i laboratorëve të parë që ka mbërritur do të pasohet edhe me prurje të tjera", tha Kastrati. Sipas tij, drejtoria rajonale e arsimit po bashkëpunon me njësitë e qeverisjes vendore si komuna e bashki për të realizuar kompletimin me linjë interneti për këta laboratorë kompjuteri, të cilët kanë mbërritur kohë më parë në shkollat e Fierit". Nga të gjithë laboratorët e kompjuterave të shkollave të Fierit asnjë nuk ka linjë interneti.

Elbasan

Ngarkesa me pajisjet e laboratorëve dixhital ka mbërritur edhe në qytetin e Elbasanit. "Ne kemi marrë të gjitha masat që kjo bazë materiale mësimore elektronike të gjejë infrastrukturën mjedisore në ato shkolla, ku do të bëhet instalimi dhe kemi ruajtur një raport të drejtë shpërndarje fshat-qytet", pohon drejtoresha e Drejtorisë Rajonale të Arsimit në qarkun e Elbasanit, Mimoza Matraxhiu. Pas përfundimit të instalimit në të gjitha shkollat premtohet se do të lidhet një sistem i përbashkët interneti, që aktualisht mungon.

Shkodër

Sipas drejtores rajonale të arsimit në Shkodër, Atrida Ferketi, shpërndarja e 117 laboratorëve virtulë do të bëhet në shkollat e qytetit dhe të fshatrave, aty ku ka dhe numër të konsiderueshëm nxënësish. Por një shqetësim më vete janë shkollat në zonat e thella malore të Qarkut Shkodër, si në Vermosh, Dukagjin dhe fshatrat e Pukës, ku kushtet aktuale të shkollave flasin për mungesa elementare si ngrohje, bazë materiale dhe mungesë mësuesish. Në këto zona laboratorët virtual duket se do mbesin një ëndërr, kur dihet se aty nuk ka as sinjal telefonik dhe kjo e bën të pamundur funksionimin e laboratorëve me internet.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›