E Shtunë, 31 Tetor 2026

ENEL: 40% e energjisë do t‘i shitet Shqipërisë

Më në fund italianët e ENEL-it kanë nxjerrë në dritë planet e tyre konkrete për ndërtimin e TEC-it me qymyr në zonën e Porto Romanos, pranë Durrësit. Gjatë një takimi të zhvilluar dy ditë më parë me mediat e shkruara, grupi drejtues i projektit, kryesuar nga Mikele Porri, ka paraqitur pjesë nga projekti me vlerë 2.2 miliardë euro, i cili kohët e fundit ka hasur në kundërshtitë e shoqatave ambientaliste. Që në fillim të prezantimit, Porri ka sqaruar se, prodhimi i energjisë elektrike nga TEC-i me qymyr nuk do të krijojë impakt negativ për mjedisin, pasi do të merren masa të forta për ndalimin e lëshimit të karbonit në ajër. TEC-i do të ketë kapacitet prodhues prej 800 megavatesh, ku një pjesë e konsiderueshme do t‘i jepet palës shqiptare. "Është rënë dakord që gati 40 për qind e energjisë të prodhuara nga TEC-i me qymyr do t‘i shitet Shqipërisë me çmim kostoje. Pra, deri në 300 megavat nga 800 që është i gjithë kapaciteti do t‘i ofrohet Shqipërisë, kurse investimi në total do të merret përsipër nga pala jonë", tha Porri, drejtuesi i projektit. Ai pranoi keqkuptimet e krijuara me shoqatat ambientaliste, të cilat janë shprehur kundër TEC-it për aq kohë se nuk jepen detaje rreth projektit. "Plani ynë është tepër serioz dhe nuk kemi ndërmend të ndotim asnjë pjesë të Porto Romanos. Karboni i çliruar nga djegia e qymyrit do të asimilohet në 99 për qind të sasisë, pasi pajisjet që do të instalohen vijnë me standarde të larta", vijon paraqitjen e detajeve përfaqësuesi më i lartë i ENEL-it në Shqipëri.

Projekti

Përtej avantazheve që vijnë nga rritja e të punësuarve pranë zonës të Porto Romanos, drejtuesit e ENEL garantojnë qëndrueshmëri të prodhimit të energjisë elektrike në Shqipëri falë aktivizimit të TEC-it. Çmimi i energjisë elektrike do të bazohet mbi kosto, kurse sasia do t‘i ofrohet për shtije vetëm KESH-it, si dhe operatorëve të tjerë të shumicës. Në planin e italianëve përfshihet edhe ndërtimi i një linje elektrike 400 KV, që lidh termocentralin e ri me rrjetin kombëtar shqiptar. "Pas ndërtimit, kjo linjë do t‘i kalojë në pronësi Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST)", tha Porri. Ndërtimi i TEC-it i hap rrugë projektimit të një tubacioni nënujor, i nevojshëm për transportimin e energjisë elektrike. Një pjesë e linjave do të përdoret edhe nga OST, në masën 20 për qind. Linja elektrike nënujore do të ketë kapacitet 500 KV dhe që do të lidhë termocentralin me rrjetin kombëtar të Italisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›