Barka: Shtohen të huajt që zgjedhin "jetën shqiptare"
Numri i shtetasve të huaj që vijnë për të punuar apo për të çelur sipërmarrje të reja në Shqipëri është rritur. Një fakt të tillë e ka pohuar dje ministri i Punës, Kosta Barka, duke ju referuar edhe lejeve të punës të lëshuara nga dikasteri i tij në këto vite. Për të rregulluar jetën e këtyre të huajve në Shqipëri është hartuar edhe një projektligj i posaçëm. "Objekti i ligjit është rregullimi i regjimit të hyrjes, qëndrimit, punësimit, trajtimit dhe të daljes të të huajve në/nga Republika e Shqipërisë dhe funksionet e kompetencat e autoriteteve shtetërore dhe subjekteve të tjera publike dhe private, që kanë të bëjnë me të huajt", u shpreh ministri Barka. Lidhur me mbrojtjen e fuqisë punëtore dhe të tregut shqiptar të punës, bazuar në kriteret bazë të Direktivave të Komisionit Evropian, Barka sqaroi se "kjo do të thotë që vendin e lirë të punës, përpara se t‘ia ofrojë shtetasit të huaj, duhet t‘ia ofrojë punëkërkuesve vendas". Projektligji saktëson se "shtetasit e huaj do të punësohen në ata sektorë dhe në ato pozicione specifike pune, kryesisht të reja dhe për të cilat punonjësve shqiptarë u mungon kualifikimi dhe aftësitë profesionale". Ministri i Punës premtoi thjeshtimin e procedurave administrative të dhënies dhe të ripërtëritjes së lejeve të punës. Ndërsa shteti shqiptar duhet të sigurojë kushtet për integrim në jetën ekonomike, kulturore dhe sociale të të huajve që kanë të drejtën e qëndrimit në Republikën e Shqipërisë. Kështu, me qëllim integrimin e tyre organizohen dhe zbatohen: kurse të gjuhës shqipe; forma të tjera të përfitimit të rritjes profesionale dhe të formimit; aktivitete për mësimin e historisë, kulturës, qytetërimit dhe sistemit ligjor të Republikës së Shqipërisë; takime me rastin e ndodhive të ndryshme, ku marrin pjesë edhe shtetasit shqiptarë për një promovim, njohje dhe mirëkuptim të ndërsjellë. Shtetasit e huaj që punojnë në Shqipëri janë kryesisht me shtetësi turke, kineze, italiane, greke, maqedonase, kosovare, angleze, bullgare etj. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punës, rezulton se janë pajisur me leje pune, përkatësisht: 771 punëmarrës, 89 punëdhënës, 37 të vetëpunësuar. Rrethet ku janë përqendruar pjesa më e madhe e shtetasve të huaj që kryejnë aktivitet në vendin tonë janë Tirana, Elbasani, Korça, Durrësi, Vlora, Kruja, Fieri.