E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Titujt e pronësisë" tani jepen nga ALUIZN-i

Pas miratimit dje në Kuvend të projektligjit për titujt e pronësisë, tashmë këtë të drejtë nuk e ka më pushteti vendor, por Agjencia e Legalizimeve. Ky propozim për transferim të kompetencave nga pushteti vendor tek Agjencia e Kthimit të Pronave është bërë nga Partia Demokratike, e cila e ka miratuar vendimin vetëm me 52 vota. Gjatë diskutimit në Kuvend, opozita e ka kundërshtuar këtë vendim të qeverisë, duke argumentuar qëndrimin e saj kundër, duke thënë se ndryshimi shton abuzimet me pronat. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe, është shprehur se ky ligj bie ndesh me programin e qeverisë të paraqitur në 2005-n. Sipas numrit dy të grupit socialist, procesi i ndarjes së titujve të pronësisë dhe legalizimeve duhet të kishte përfunduar që në 2006-n. Sipas tij, problemi nuk qëndron tek administrata, që nuk respekton ligjin, por te drejtuesit e lartë të shtetit, që nuk janë të interesuar ta realizojnë këtë proces. "Ju, i është drejtuar Braçe mazhorancës, e zvarrisni vetë këtë çështje, se doni të ndikoni te vota e shqiptarëve". Doni ta përdorni sërish çështjen e legalizimit për të bërë fushatë në zgjedhjet e ardhshme, është shprehur Braçe. Ky pretendim nuk është pranuar nga mazhoranca dhe konkretisht nga ministri i Transporteve, Olldashi, i cili në fjalën e tij ka theksuar se ligji synon shpejtimin e procesit, pasi deri më tani, ky proces është mbajtur peng nga kryetarët e bashkive të rretheve, pjesa më e madhe e të cilave drejtohen nga njerëzit e opozitës. Por, kundër këtij projektligji nuk është shprehur vetëm opozita. Zërit të saj i është bashkuar edhe grupi parlamentar i PR-së dhe deputeti Spartak Ngjela. Republikanët kanë votuar kundër, duke e vlerësuar si të padrejtë këtë vendim të qeverisë, i cili nuk i jep zgjidhje çështjes së ish-pronarëve, por vetëm komplikon më tej situatën. Ndërsa deputeti Ngjela ka qenë mjaft i ashpër në deklaratën e tij, duke e cilësuar si "një turp për qeverinë hartimin dhe miratimin e këtij projektligji". Sipas Ngjelës, ky është një ligj paçavure, i cili ka nevojë të riformulohet, pasi edhe nga ana juridike, formulimi i tij është skandaloz. "Vetëm njerëz që kanë ardhur në pushtet për të marrë dhe jo për të dhënë mund të arrijnë të krijojnë ligje të tilla", është shprehur Ngjela.

Nisma "Madhi"

"Të shtyhet afati për dokumentet

e dosjeve të ish-pronarëve"

Me shumicë të thjeshtë votash, Kuvendi ka miratuar dje propozimin e kryetarit të grupit parlamentar republikan, Arian Madhi, për të shtyrë afatin e paraqitjes së dokumenteve për plotësimin e dosjeve të ish-pronarëve. Ai ka kërkuar edhe reduktimin e numrit të dokumenteve të paraqitura nga ish-pronarët.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›