Meta: Pas 28 Qershorit, do të ulim çmimet bazë të tregut
Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta zhvilloi dje një vizitë në një minimarket ushqimor në Tiranë. Meta takoi mjaft qytetarë, që blinin ushqimet e përditshme, të cilët ankoheshin për rritjen e çmimeve, rrogat që nuk i përballojnë dot këto çmime të larta dhe rritjen e kostos së jetesës në përgjithësi. Ndërkaq edhe pronarët e minimarketit u shprehën të shqetësuar për rënien e xhiros, gjë që tregon rënien e fuqisë blerëse në përgjithësi. Gjatë kësaj vizite Meta shoqërohej me kandidatin e LSI për deputet, ish-rektorin Shezai Rrokaj, si dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të LSI së Tiranës, Elez Gjoza.
Pas bashkëbisedimit me qytetarët dhe pronarët e minimarketit Meta u shpreh se kudo ndihet një shqetësim për rënien e fuqisë blerëse edhe në drejtim të prodhimeve, produkteve ushqimore. Padyshim që ne kemi një plan shumë konkret jo vetëm për të nxjerrë bujqësinë nga kriza dhe për të krijuar atë industri agropërpunuese, e cila do të bëjë të mundur si punësimin e mijëra shqiptarëve në bujqësi dhe në agropërpunim, ashtu edhe zëvendësimin në një masë të madhe, të importeve të sotme bujqësore dhe ushqimore, me prodhimin vendas që do të thotë më shumë mirëqenie për fermerët shqiptarë, për qytetarët shqiptarë, por njëkohësisht një ekonomi më e fortë kombëtare, u shpreh Meta, sipas të cilit duke vënë re një krizë në rritje përsa i takon problemeve të përballimit të kostove të jetesës nga familjet shqiptare dhe sidomos nga ato më të varfrat dhe me ato me të ardhura më të pakta, LSI është e vendosur për të përgjysmuar nga 20 % në 10 % TVSH-në, për ushqimet bazë të shportës që do të thotë çmime më të lira dhe më të pranueshme në treg. Sipas tij, kjo do të thotë një kontribut dhe një ndihmë për këto familje për të përballuar më me lehtësi këtë çështje të rëndësishme të ditës, që është jetike për familjet shqiptare. Por në një plan më afatmesëm dhe afatgjatë është programi i LSI për Bujqësinë, dhe për ciklin e prodhimit vendas ai që sipas Metës do të sjellë një përmirësim të mirëqenies për të gjithë shqiptarët, si të atyre që banojnë në fshat dhe atyre që banojnë në qytet.
Last Updated on Wednesday, 20 May 2009 16:35
Last Updated on Wednesday, 20 May 2009 16:35